“Bizneset dhe investimet turke do të vazhdojnë të kenë një prani të fortë në Shqipëri”

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, theksoi se bizneset dhe investimet turke do të vazhdojnë të kenë një prani të fortë në Shqipëri

Në pritjen e funditvitit të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO), ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, theksoi se bizneset dhe investimet turke do të vazhdojnë të kenë një prani të fortë në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga ATTSO, në pritjen në fjalë të organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin të pranishëm përveç ambasadorit turk, edhe zv/ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Besart Kadia, kryetarja e ATTSO-s, Eni Xheko, anëtari i Bordit të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Bursave të Turqisë (TOBB), Cengiz Günay dhe përfaqësues të institucioneve dhe biznese turke në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Yörük tha se një nga elementët më të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë janë lidhjet ekonomike dhe tregtare.

“Jemi vërtet krenarë për 600 kompanitë turke që operojnë në Shqipëri në fusha që kanë rëndësi strategjike për të ardhmen e këtij vendi. Këto kompani janë gjithashtu një burim i rëndësishëm punësimi për qytetarët shqiptarë. Këto kompani aktualisht po ofrojnë punësim për 15.000 qytetarë shqiptarë”, tha Yörük.

Ambasadori turk theksoi se sido që të jenë rrethanat, bizneset dhe investimet turke do të vazhdojnë të kenë një prani të fortë në Shqipëri.

“Në fakt, pritshmëria jonë e biznesit është që qeveria e re e Shqipërisë të dërgojë mesazhe pozitive në të gjithë sektorët e ekonomisë në mënyrë që të motivojë bizneset turke që të zgjerohen në Shqipëri dhe të motivojë bizneset aktuale në Turqi të zgjerohen këtu”, tha Yörük.

Ambasadori Yörük u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian (BE) për të arritur nivelin e zhvillimit ekonomik, sipas tij, që e meriton prej shumë kohësh.

Eni Xheko, kryetarja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi, gjatë fjalës së saj falënderoi ambasadorin turk për mbështetjen e tij për ATTSO.

“Aktualisht ka rreth 600 kompani turke në Shqipëri dhe ka një vëllim mbi 600 milionë euro tregti midis dy vendeve tona. Ne si ATTSO jemi të përkushtuar të shërbejmë si urë lidhëse dhe të lehtësojmë marrëdhëniet mes partnerëve turq dhe shqiptarë. Marrëdhëniet e zgjeruara nuk janë të mira vetëm për biznesin, por edhe për ekonominë”, theksoi Xheko.

Kategoritë
LajmeRajoni