BE-ja për deklaratat e Vuçiqit: Mirëpresim thirrjet për riintegrim të serbëve në institucionet e Kosovës

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen konstruktivisht në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, duke përfshirë riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe realizimin e marrëveshjeve të dialogut, si dhe implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Bashkimi Evropian, duke iu referuar masave dhe thirrjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për serbët në Kosovë, u kërkoi të dyja vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai i bëri komentet në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar disa kërkesa dhe masa të Vuçiqit, që parashtroi javën e kaluar.

Mes tjerash, ato përfshijnë shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale, të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, si dhe kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre.

Stano tha se BE-ja, vazhdimisht, i ka bërë thirrje Beogradit që të inkurajojë riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe Prishtinës që ta mundësojë atë.

“Marrëveshjet e dialogut i parashikojnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje dhe duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës. Në këtë kontekst, impelementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai, duke iu referuar, po ashtu, kërkesës së Vuçiqit për themelimin e këtij asociacioni në Kosovë”, ka deklaruar Stano.

Po ashtu, Stano ka përsëritur thirrjet për shmangien nga retorika nxitëse dhe, siç tha, hapat e njëanshëm.

“Retorika nxitëse dhe mashtruese, si dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara shkojnë kundër dialogut. Ato vënë në rrezik normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe sigurinë e qytetarëve të tyre. Rruga përpara për të dyja palët është konfirmimi i angazhimit të tyre konstruktiv në procesin e normalizimit. Rasti i parë për këtë është takimi i kryenegociatorëve më 17 shtator në Bruksel”, tha zëdhënësi i BE-së.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian “do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi, në aspiratat e tyre përkatëse për t’u anëtarësuar në BE”./Radio Evropa e Lirë

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi