Blloku nuk do të zbatojë “ndalesë të përgjithshme të vizave” për rusët për shkak të ndarjeve midis shteteve anëtare
Bashkimi Evropian do të anulojë marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Rusinë, por nuk do të zbatojë “ndalesë të përgjithshme të vizave”, deklaroi sot ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, raporton Anadolu Agency (AA).
“Nuk ka unanimitet midis anëtarëve të Këshillit (BE) për vendosjen e ndalesës së përgjithshme kundër Rusisë”, tha Szijjarto pas takimit jozyrtar të ministrave të Jashtëm të BE-së në kryeqytetin e Çekisë, Pragë.
“Në të njëjtën kohë, BE-ja do të anulojë marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Rusinë”, tha ai, duke shpjeguar se shumica e vendeve anëtare të BE-së e mbështesin këtë veprim.
Ndalesa për vizat turistike për rusët në mbarë BE-në u propozua fillimisht nga Estonia, Letonia dhe Finlanda.
Vendet anëtare të BE-së kanë qenë të ndara rreth propozimit, ku Franca dhe Gjermania si dhe vende të tjera bëjnë thirrje për pezullimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave, duke argumentuar se blloku nuk duhet të ndërpresë lidhjet me popullin rus.