Bajrami: Nga 859 milionë euro, Qeveria ka shpenzuar veç 159 milionë, kjo tregon mospunë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se Qeveria ka shpenzuar vetëm 159 milionë euro për investime kapitale në vitin 2024, nga 859 milionë sa kanë qenë të parapara.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Bajrami ka thënë se kjo shifër tregon se ka mospunë:

“Kjo shifër tregon se ka mospunë, edhe te këto 159 milionët e shpenzuar një pjesë janë kontrata njëburimore me korrupsion

Derisa qytetarët shpenzojnë kohë në kolonat me pluhur, shpenzojnë karburant dhe amortizojnë automjetet e tyre në rrugët për Podujevë, Mitrovicë, Pejë e Gjilan partia në pushtet prej 859 milionë eurove të parapara për investime kapitale në buxhetein e vitit 2024, deri me 1 shtator ka arritur të shpenzoj vetëm 159 milionë euro (ndërsa komunat me krejt pengesat nga Ministria e Financave kanë shpenzuar 120 milionë euro për investime kapitale deri me 1 shtator). Këto të dhëna janë të Ministrisë së Financave”.

Tutje, Bajrami ka shtuar se në anën tjetër, “mbi qeverinë rëndon barra e 273 milionë euro tenderëve sekret”.

“Në anë tjetër mbi këtë qeveri rëndon barra e 273 milionë tenderëve sekret, taksa tonat këto të shpenzuara në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, duke dëmtu buxhetin e duke favorizu kompani në dëm të konkurrencës së lirë në treg.

E pamë mospunën tuaj, prandaj s’mund të fshiheni më prapa mashtrimeve e propagandës“, ka shkruar ajo.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi