Ushtria izraelite po bëhet gjithnjë e më skeptike se në javët e ardhshme do të ndodhë rrëzimi i pushtetit në Iran. Kjo hedh dyshime mbi një nga objektivat kryesore të luftës së kryeministrit Benjamin Netanyahu, pasi Republika Islamike e Iranit po tregon aftësi për t’i përballuar bombardimet intensive.
Sipas dy burimeve të njohura me situatën, qëndrimi dominues brenda inteligjencës ushtarake izraelite (Aman) është se lufta ende nuk ka krijuar kushtet për rrëzimin e shpejtë të pushtetit në Iran. Duket se fushata ajrore, që nga nisja e luftës më 28 shkurt nga SHBA dhe Izraeli, nuk e ka dobësuar ndjeshëm pushtetin në Teheran.
“Regjimi është dobësuar, por nuk kemi parë dezertime masive apo çarje… asnjë tregues real të humbjes së kontrollit. Kjo tregon qëndrueshmërinë e një sistemi të ndërtuar për 47 vite për të mbijetuar”, deklaroi për Financial Times Raz Zimmt, ish-ekspert për Iranin në Aman, tani analist në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.
Fokus te objektivat ushtarake dhe operacionet e Mossad-it
Duke qenë se presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar dëshirën për përfundimin e armiqësive, forcat ajrore izraelite në ditët në vijim po i japin përparësi vetëm objektivave ushtarake, në vend të atyre që synojnë destabilizimin e drejtpërdrejtë të shtetit. Objektivat përfshijnë fabrikat e mbetura të prodhimit të raketave dhe industrinë e mbrojtjes, ndërsa në 48 orët e fundit është vërejtur një përshpejtim i sulmeve ndaj fabrikave të armëve. Izraeli gjithashtu ka konfirmuar vrasjen e komandantit të marinës së Gardës Revolucionare iraniane.
Ndryshe nga deklaratat fillestare ambicioze të Netanyahut dhe Trumpit, ushtria izraelite që në fillim e ka konsideruar të pamundur ose shumë pak të mundshme rrëzimin e pushtetit vetëm përmes një fushate ajrore.
“Ushtria i ka thënë qeverisë: ‘Kjo nuk do të ndodhë brenda natës’. Ndryshimi i regjimit do të jetë gjithmonë jashtëzakonisht i vështirë”, tha një burim i njohur me diskutimet e brendshme në qeverinë izraelite.
Për të pasur ndonjë shans për ndryshim regjimi, fushata ajrore duhej të zhvillohej paralelisht me përpjekje afatgjata të Mossad-it për të minuar sistemin në terren. Plani përfshinte krijimin e kushteve për protesta në rrugë dhe mbështetje për milicitë kurde në veri, me shpresën për të nxitur kaos të përgjithshëm dhe kryengritje popullore.
“Prerja e kokës” pa rrëzim përfundimtar
Kjo strategji çoi në plane që vendosën si prioritet absolut eliminimin e udhëheqjes. Udhëheqësi suprem ajatollah Ali Khamenei u vra që në valën e parë të sulmeve në fillim të luftës. Më pas u vranë edhe ministri i mbrojtjes, shefi i Gardës Revolucionare, shefi i shtabit të përgjithshëm, si dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë.
Izraeli u përpoq të destabilizonte më tej sistemin edhe me eliminimin e Ali Larijanit më 17 mars, një figurë kyçe e sigurisë iraniane. Pritej që ai të luante rol të rëndësishëm në një zgjidhje diplomatike të mundshme, sidomos pasi djali i Khameneit dhe udhëheqësi i ri suprem Mojtaba ishte zhdukur nga publiku (thuhet se ishte plagosur në një sulm izraelit).
Megjithatë, pothuajse katër javë pas fillimit të luftës, inteligjenca ushtarake arriti në përfundimin se sulmet intensive amerikano-izraelite nuk i kanë rritur ndjeshëm gjasat për rrëzimin e pushtetit para përfundimit të konfliktit.
Oficerët e lartë të ushtrisë izraelite tani shmangin të flasin për rrëzimin e Republikës Islamike si objektiv dhe në vend të kësaj flasin për “dobësimin” e pushtetit dhe kapaciteteve të tij ushtarake, duke e paraqitur këtë si suksesin e tyre kryesor. Nga ana tjetër, Netanyahu vazhdon të insistojë se qëllimi i luftës është “krijimi i kushteve” që populli iranian të ngrihet dhe të shfrytëzojë këtë moment.
Në një ndryshim të dukshëm nga ambiciet e larta në fillim të konfliktit, zyrtarët dhe analistët izraelitë tani e shohin ndryshimin e regjimit si një objektiv afatgjatë, pas luftës, duke besuar se Irani do të dalë nga konflikti shumë më i varfër dhe më i dobët.
“Rënia e regjimit nuk ndodh në minuta, orë apo ditë – është një proces. Megjithatë, në çdo segment të rëndësishëm – ekonomik, politik dhe në aftësinë për të ruajtur kontrollin – ky regjim është qartë në rënie”, përfundoi një burim izraelit për Financial Times.










