Arbitrazhi, Shqipëria humb 45 mln dollarë, kompania greke fiton gjyqin për rrugën Tiranë-Elbasan

Taksapaguesit shqiptarë rrezikojnë të paguajnë edhe 45 milionë dollarë si pasojë e humbjes së çështjes në arbitrazhin ndërkombëtar me kompaninë greke “Aktor”.

Më 1 shtator 2020, Gjykata e Arbitrazhit i ka dhënë të drejtë subjektit në fjalë për punimet shtesë në autostradën Tiranë-Elbasan.

Sipas dokumenteve rezulton se pala e paditur, në këtë rast Shqipëria duhet t’i paguajë palës paditëse tri detyrime.

Penaliteti financiar është llogaritur në dy pika me segmentet rrugore sipas faturave të pretenduara nga kompania dhe një pikë e tretë që lidhet me shpenzimet e arbitrazhit. Fillimisht kur u prokurua ndërtimi i projektit grekët e AKTOR fituan të vetëm ndërtimin e tunelit dhe më pas ndërtimi i dy loteve të tjera u fitua nga bashkimi i kompanive Copri dhe AKTOR.

Përgjatë zbatimit të projektit u shfaqën një sërë problematikash, si rrëshqitje dherash apo rënie shkëmbinjsh çka solli më pas rritjen e kostove të projektit autostradës dhe nevojën për kryerjen e punimeve shtesë.

Fillimisht procedura u prokurua me 312 milionë dollarë, por që sipas qeverisë Rama që ndoqi edhe punimet përfundimtare kostoja shkoi deri në 450 milionë dollarë. Ecuria e projektit shkaktoi përplasje mes qeverisë dhe kompanisë AKTOR e cila pretendonte se pagesat nuk bëheshin në kohë ndërkohë që ekzekutivi fajësonte kompaninë për zvarritje të punimeve përtej afatit.

Situata e tensionuar bëri që në vitin 2018 kompania AKTOR ta dërgojë çështjen në arbitrazhin ndërkombëtar.

Kategoritë
LajmeRajoni