Konkursi për infermierë në Qendren Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është përcjellë me pakënaqësi të shumta. Shumë nga kandidatët janë ankuar për manipulim të këtij procesi.
Disa nga kandidatët madje kanë kërkuar dhe anulim të këtij konkursi, i cili sipas tyre është përcjellë me shumë parregullsi.
E nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) thonë se kanë pranuar rreth 60 kërkesa për rishikim të testit, nga të cilat kanë rezultuar se në tetë raste ka pasur lëshime. Në një përgjigje për Indeksonline nga SHSKUK-ja thuhet se lëshimet e ndodhura janë përmirësuar dhe se kandidatët tashmë janë ftuar për intervistë me gojë.
“Pas shpalljes së rezultateve të testimit me shkrim, me datën 27.08.2024, në nivel të SHSKUK-së, secili nga kandidatët e pakënaqur, ka pasur mundësi që ta shikojë testin, nëse ka pasur ndonjë lëshim eventual teknik. Afati ka qenë 3 ditor, pra deri me datën 30.08.2024, dhe kemi pranuar rreth 60 kërkesa për ta shikuar testin. Pas rishikimit të testeve, ka rezultuar se në 8 kanë raste ka pasur lëshime, qoftë nga ana administrative, qoftë nga ana e komisionit. Janë përmirsuar lëshimet e ndodhura dhe kandidatët janë ftuar për Intervistë me gojë. Nuk ka ndryshim të pikëve, vetëm përmiresimi të lëshimeve teknike gjatë punës administrative. Në fund të publikimit të rezultateve finale, ekziston këshilla juridike, ku kandidatët e pakënaqur në afat prej 15 ditëve kanë të drejtë ankese”, thuhet në përgjigjjen e SHSKUK-së.
ShSKUK, inkurajon të gjithë ata që kanë pakënaqësi apo ankesa, t’i paraqesin ato, meqë secila ankesë do të trajtohet individualisht nga komisionet përkatëse./Indeksonline/.