Anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Petrit Hajdari, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook ndaj dështimit të qeverisë për të ekzekutuar pagat për sektorin publik. Ai kritikoi Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin e Financave, Hekuran Murati, duke e quajtur këtë një “skandal dhe papërgjegjësi totale”.
Në reagimin e tij, ai theksoi se policia, ushtria, punëtorët shëndetësorë, arsimtarët dhe gjithë shërbyesit publik mbeten pa paga, duke shtuar se kjo tregon mungesën e aftësisë së qeverisë për të udhëhequr vendin dhe për të zgjidhur problemet e përditshme të qytetarëve.
“Një qeveri që nuk siguron pagat për ata që mbajnë shtetin në këmbë, është një qeveri e dështuar dhe skandaloze,” tha ai, duke theksuar se ky nuk është rasti i parë i dështimit nga qeveria Kurti.
Postimi i plotë
Po të ishte kollaj me mbajtë shtëpi, Kola jem i kish mbajt dy!
Skandal dhe papërgjegjësi totale nga kjo qeveri e Albin Kurtit dhe ministrit Hekuran Murati!
Sot, deshtuan të ekzekutojnë pagat për gjithë sektorin publik – policinë, ushtrinë, punëtorët shëndetësorë, arsimtarët, profesorët dhe gjithë shërbyesit publik. Një qeveri që s’është e aftë të sigurojë pagat për ata që çdo ditë mbajnë në këmbë këtë shtet, është një qeveri e dështuar dhe skandaloze!
Kjo është papërgjegjësi dhe turp, por çfarë të presim nga një qeveri që ka humbur kontaktin me realitetin dhe jetën e qytetarëve të saj? Në vend që të merren me problemet reale të njerëzve, ata janë të zënë duke u vetëlavdëruar dhe duke shitur fjalë boshe. Nuk është hera e parë që dështojnë, dhe me këtë ritëm, nuk do të jetë as e fundit. Kjo qeveri nuk është në gjendje të udhëheqë, le më të zgjidhë problemet e përditshme të qytetarëve!