Ish-shefi i Urgjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan “Dr.Nagip Rexhepi” Leotrim Kurteshi, pretendoi se pacienti vdiq pasi një mjek nuk ishte përgjigjur ndaj thirrjes së pacientit për ndihmë. Ai deklaronte edhe shkelje të tjera të evidentuara në QKMF, por çfarë ka ndodhur me këtë rast?
Liridona Xheladini zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, tha për Gazetën Express se deri në këtë fazë kanë pranuar një raport hetimor nga policia. E njëjta nuk ka dhënë detaje nëse janë intervistuar akterët që pretendohet të jenë përfshirë në këtë rast.
“Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast ka pranuar raportin hetimor nga Policia e Kosovës. Për të gjitha veprimet e tjera të mëtutjeshme do të jeni të njoftuar me kohë”, tha Xheladini për Gazetën Express.
Ish-shefi i Urgjencës, Leotrim Kurteshi, ditën kur njoftoi dorëheqjen tha se drejtori i QKMF-së dhe Drejtoria e Shëndetësisë së Gjilanit nuk kanë reaguar.
Një ditë më vonë, Drejtoria e Shëndetësisë së Gjilanit tha se mjeku Kurteshi “është shkarkuar nga pozita që mbante, kryesisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe si rrjedhojë e menaxhimit jo të mirëfilltë të punës nga ana e tij”.
Sipas Drejtorisë së Shëndetësisë, deklaratet e mjekut “janë të pavërteta e të paqëndrueshme”.