Shumë femra e familje shqiptare ishin shqetësuar muaj më parë nga një grup famëkeq i quajtur “Albkings”.

Ky grup ishte krijuar nga disa persona, e po funksiononte për muaj të tërë vetëm e vetëm që të degradoj figurën e femrës, duke publikuar fotografi personale, disa prej tyre të montuara e duke shkuar edhe më larg duke i publikuar më pas edhe të dhënat personale, numra të telefonit e gjithçka tjetër.

Pre e këtij grupi ishin edhe emra të njohur nga mediat në Kosovë.

Por pavarësisht se shtatë themeluesve dhe drejtuesve të këtij grupit iu ndërpre kjo punë dhe u arrestuan, të tjerë po dalin në pah.

Tanimë jo “Albkings”, por me një emër tjetër.

Lajmi.net ka zbuluar grupin e ri me mbi 13 mijë anëtarë që është hapur së fundi në një app të quajtur “Discord”.

Ky grup quhet “ALBANIAN CHAT”, e në të publikohen gjëra tejet denigruese.

Pjesë e këtyre publikimeve janë edhe fotografi të montuara që njihen si “Deep fake”, të femrave të ndryshme.

“A ka ndonjë foto, a ka diçka nga Prizreni, diçka për në Shkup”, e të tjera informacione kërkohen aty.

Ajo çfarë bie në sy është se disa anëtarë kanë kërkuar edhe emra specifik të disa emrave.

“*.* e Prishtinës ka mësu në Shtime, a e njeh najkush o tum vy”.

“A ke info të qesaj B…”.

“Naj sen me lek ka Prizreni”.

Ishin vetëm disa prej shkrimeve, derisa lajmi.net nuk ka arritur as t’i publikojë pjesën tjetër të shkrimeve e fotografi pasi që janë tejet të vrazhda për t’u parë e lexuar në raportim.

Epitetet, pamjet e gjithçka tjetër që përdoret në këtë grup është 18+, por edhe më e rëndë.

E çfarë është edhe më kritike është fakti se përmes këtij grupi shpërndahen fotografi të femrave të cilat thuhet se “paguhen” për “shërbime seksuale”.

Aty caktohet edhe ora e çmimi, derisa i bashkëngjitet numri i femrës në fjalë.

 

Pra përmes këtij grupi po jepen para me shuma të mëdha për të shfrytëzuar femra të caktuara për shfrytëzim seksual.

Madje janë kryesorët e këtij grupi që “përkujdesen” që anëtarët t’i respektojnë rregullat që ata kanë vendosur.

Në këtë grup po përfshihen meshkuj të shumtë, të cilët siç duket janë të “etur” për t’iu vënë pas femrave që as s’i njohin dhe as nuk e dinë në fakt se kush janë.

Grupe të tilla të cilat po rrezikojnë shoqërinë tonë janë bërë të njëpasnjëshme.

Në lidhje me hapjen e këtij grupi të ri, Lajmi ka kërkuar përgjigje edhe nga institucionet përgjegjëse siç janë Policia e Kosovës dhe Prokuroria, por deri në momentin e publikimit nuk ka pasur asnjë përgjigje.

E nga grupi i kaluar Albkings ishte bërë e ditur se se i arrestuar me inicialet L.B., dyshohet se përmes telefonit të tij fillimisht kishte kërkuar nga një vajzë që të kryente disa veprime sipas dëshirës së tij, por që e njëjta nuk kishte pranuar.

Sipas dosjes, refuzimi i vajzës për të kryer veprime çoi deri te kërcënimi ndaj saj nga i dyshuari L.B., se do t’i publikonte apo shpërndante fotografi të së njëjtës si dhe të dhëna të tjera personale.

Gjithashtu thuhet se vajza nuk i ishte bindur kërkesave të 18-vjeçarit dhe më pas ky i fundit kishte publikuar fotografi të viktimës në rrjetin social “Telegram”, konkretisht në një grup në të cilin atë kohë ishin të anëtarësuar rreth 80 mijë persona.Kur vajza kishte kuptuar këtë çështje, menjëherë i ishte drejtuar organeve të rendit të cilët kishin nisur edhe të trajtonin ngjarjen e cila përfundoi me arrestim e të dyshuarit më 5 shkurt.

E në lidhje me arrestimin e shtatë të dyshuarve për grupin Albkings, Prokuroria Themelore në Prishtinë pati mbajtur edhe konferencë për media.

Prokurorja e rastit, Elza Bajrami-Kastrati, ka thënë se në mesin e të arrestuarve ishte dhe një grua që e ishte administratore e grupit.

“E.N, njëri nga administratorët është arrestuar, pastaj më 23 prill është ndaluar edhe personi i dytë, femër E.S e cila po ashtu duke qenë admin dyshohet për veprën penale vjedhja e identitetit dhe e kredencialeve…edhe ndaj kësaj prokuroria ka paraqitur caktimin e masës së paraburgimit, të njëjtës i është vazhduar edhe për dy muaj. 24 maj, me qellim drejt identifikimit, policia ka lëshuar vendim për ndalimin e personit të tretë ndaj administratorit kryesor dhe krijuesit e Alb Kings, kemi arritur që grupin ta mbyllim përfundimisht, edhe përkundër nga mbyllja e parë është hapur edhe dy here”,pati deklaruar ajo.

Hapja e grupeve të tilla padyshim se është shqetësim e frikë për shumë femra në Kosovë, të cilave mund t’iu keqpërdoren fotografitë e të dhënat e tjera personale./Lajmi.net/

pixel