​Si të përgjigjeni në pyetjen “Cila është puna jote e ëndrrave” në një intervistë pune

Jo të gjitha pyetjet në një intervistë pune janë të drejtpërdrejta, disa prej tyre janë provokuese, siç është pyetja “Cila është puna jote e ëndrrave”. Ndodh që puna jote e ëndrrave, nuk ka asgjë të përbashkët me punën për të cilën po intervistoheni, por gjithsesi nuk është e nevojshme të përmendet. Në të tilla raste, është mirë që përgjigja të lidhet me pozitën për të cilën po intervistoheni.

Çka synon të dijë intervistuesi?

Kur kjo lloj pyetje bëhet në një intervistë pune, punëdhënësi juaj potencial dëshiron që ta kuptojë nëse i keni mjaftueshëm aftësitë e duhura për të qenë i suksesshëm në punë. Ai gjithashtu, është i interesuar që ta dijë se sa i motivuar që të punoni dhe nëse jeni të kënaqur me pozitën. Kjo pyetje i ndihmon punëdhënësit që ta vlerësojë motivimin tuaj. Përgjigja juaj gjithashtu mund të ofrojë një paraqitje të shkurtër të vlerave, pasioneve dhe përparësive tuaja si punonjës.

Çfarë duhet të përmendni në një përgjigje të tillë?

Përgjigja ideale do të duhej të ofrojë disa veçori të punës në të cilën keni aplikuar. Për shembull, nëse pozita e kësaj pune është shërbimi ndaj klientit, mund të thoni se puna e ëndrrave do të kishte nivel të lartë të bashkëpunimit me klientë. Apo në rastet kur keni aplikuar në një punë jofitimprurëse mjedisore, mund ta përmendni pasionin për ambientalizmin. Për shembull, mund edhe të thoni që jeni i gatshëm të punoni në një ambient bashkëpunimi dhe pasionant. Vetëm sigurohuni fillimisht që mjedisi që e përmendi të përputhet me kulturën e vendit të punës për të cilin po intervistoheni.

Që t’i përgatitni përgjigjet, mendoni çfarë kërkohet nga ju për atë punë:

  1. A “kënaqeni” duke zgjidhur probleme, apo duke qenë aty kur ndodhin konflikte?
  2. A ja dilni kur jeni nën presion?
  3. A e konsideroni vetën si person që i pëlqen të merret me klientë apo me një komunitet të tërë?

Krijoni një profil pune për të ndërtuar një përgjigje të mirë

Mendoni se çfarë do të donit nga një punë, kjo do t’ju ndihmonte që të ndërtonit një pasqyrë të asaj se cila është punë e ëndrrave tuaja.

Të keni parasysh se përgjigja për punën e ëndrrave në një intervistë punë nuk duhet përfshijë pozita specifike si p.sh. drejtor për marrëdhënie me publikun. Por në vend të kësaj të përfshini përgjegjësi të ndryshme, që gjithmonë keni dëshiruar t’i keni si pjesë të punës tuaj.

Tregoni shembuj

Do të jeni shumë më bindës nëse tregoni se këto aftësi keni pasur rast t’i aplikoni edhe në të kaluarën e që kanë qenë shumë të dobishme. Jini të gatshëm të tregoni disa shembuj, kur keni përdorur këto aftësi, por që gjithsesi duhet të përkojnë me interesin e punës ku jeni duke u intervistuar.

Përgjigja juaj do të jetë më bindëse nëse reflektoni pse i keni gjetur të dobishme këto lloje aktivitetesh në të kaluarën dhe se si aftësia juaj përputhet me llojin e punës që po ndiqni. Jini të gatshëm të ndani disa shembuj se si keni shijuar të përdorni këto aftësi në të kaluarën.

Fokusohu në të tashmen dhe të ardhmen

Një mënyrë tjetër për t’u përgjigjur është të përmendni qëllimet të cilat dëshironi që ti arrini në punën tuaj të ëndrrave. Për shembull, nëse jeni duke aplikuar për një organizatë mjedisore jofitimprurëse, ju duhet të përmendni që gjithmonë keni ëndërruar që të kontribuoni në shtimin e hapësirave dhe “të menduarit” gjelbër.

Çfarë nuk është mirë të përmendni?

Nuk duhet të mendoni se çdo lloj përgjigje është e pranueshme, sepse në fund të fundit jeni në një intervistë pune dhe nuk po i tregoni mikut tuaj të ngushtë, se cila është puna jote e ëndrrave.

Nuk janë të qëlluara në raste të tilla përgjigjet të tilla si: “Puna ime e ëndrrave është të jem drejtor ekzekutiv” apo “Gjithmonë kam ëndërruar të jem një ditë shkrimtare dhe të shkruaj romane”. Këto lloj përgjigjesh është mirë t’i mbani për vete.

Kategoritë
Të ndryshme