A i mbani ende në sirtar disa prej këtyre telefonave të vjetër? Sot mund të fitoni deri në 3.000 euro prej tyre

Të gjithë ata që në të kaluarën i kanë ruajtur telefonat e tyre të vjetër në sirtar, sot mund të përfitojnë prej tyre. Koleksionistët janë të gatshëm të paguajnë shuma katërshifrore për disa modele të rralla dhe të vlefshme.

Edhe pse disa prej këtyre modeleve janë teknikisht të vjetruara dhe ndoshta askush nuk do t’i blinte për përdorim të përditshëm, ato nuk duhet të hidhen pa u menduar mirë.

Nokia 3310: Konsiderohej pothuajse i pathyeshëm

Ky telefon Nokia, të cilin shumëkush me siguri e mban mend, është një nga modelet që, nëse është në gjendje të përsosur ose ende ndodhet në paketimin origjinal, mund t’ju sjellë të ardhura shtesë.

Nokia 3310 doli për herë të parë në shitje në vitin 2000 dhe në atë kohë ishte një model shumë i përhapur.

Nokia 3310 njihet si një telefon praktikisht i pathyeshëm dhe me bateri veçanërisht jetëgjatë. Për shkak të popullaritetit të madh, në vitin 2017 u prezantua edhe një version retro i bazuar në modelin origjinal.

Edhe sot, një pajisje krejtësisht e re dhe e ruajtur në kuti mund të arrijë një çmim prej 200 deri në 300 euro.

Nokia 8810: Telefoni biznesor me mekanizëm rrëshqitës

Telefoni Nokia 8810, i lansuar në vitin 1996, në atë kohë shitej për afro 1.000 euro. Kapaku i tij rrëshqitës konsiderohej revolucionar.

Ai jo vetëm që mbronte tastierën, por me tërheqjen e tij mundësonte edhe përgjigjen në thirrjet hyrëse. Modeli konsiderohej telefon biznesor dhe ishte shumë i popullarizuar për shkak të përmasave të vogla dhe peshës së ulët.

Sot vlera e tij mund të arrijë deri në 3.000 euro, pra rreth tri herë më shumë se çmimi fillestar i blerjes. Megjithatë, kjo vlen vetëm për modelet që janë ende në paketimin origjinal. Telefonat e përdorur vlejnë dukshëm më pak, nga 250 deri në 650 euro.

Samsung SPH-N270 për adhuruesit e filmit “Matrix”

Për adhuruesit e “Matrix”, modeli i Samsungut nga viti 2003 është një objekt i vërtetë koleksionimi, pasi është shfaqur edhe në film.

Shifrat e gjelbra dhe forma karakteristike i japin Samsung SPH-N270 një pamje interesante që pasqyron tematikën fantastiko-shkencore.

Vlera e këtij telefoni sot është rritur në rreth 1.000 euro, pra më shumë se dyfishi i çmimit fillestar. Megjithatë, tashmë konsiderohet objekt koleksionimi dhe është shumë i vështirë për t’u gjetur.

Nokia 8800 Sirocco – model elegant dhe i kërkuar

Edhe një model tjetër i Nokias është i popullarizuar mes koleksionistëve. Nokia 8800 Sirocco, e lansuar në vitin 2007, tërhiqte vëmendjen që atëherë me dizajnin e saj elegant.

Elementet cilësore prej çeliku inox jo vetëm që dukeshin bukur, por ishin edhe shumë të qëndrueshme. Modeli ishte i disponueshëm në disa ngjyra, përfshirë edhe versionin e artë.

Për një periudhë, Sirocco ishte shumë e kërkuar dhe arrinte çmime prej disa mijëra eurosh. Aktualisht, për këtë model mund të merren rreth 250 deri në 700 euro, por vlera e tij mund të rritet sërish në të ardhmen.

Megjithatë, “jackpotin” e vërtetë mund ta fitojë ai që posedon një iPhone të gjeneratës së parë, krejtësisht të ri dhe të pahapur.

iPhone 2G me 4 GB memorie arrin çmimet më të larta në tregun e koleksionistëve. Në disa raste, për të kërkohen edhe shuma pesëshifrore, shkruan Chip.de.

Kategoritë
Të ndryshme