​KQZ voton kundër rekomandimit të ZRPP-së për certifikim në pako të listave të partive politike

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka votuar rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike që të certifikoi në pako subjektet politike dhe listat e kandidatëve për deputetë. Kështu që kandidatët që janë listuar nga KGJK-ja si persona që kanë probleme me ligjin në tri vjetët e fundit nuk janë certifikuar.

Ishin pesë anëtarë të KQZ-së që votuan pro, ndërsa 6 ishin kundër.

Po ashtu me 9 vota pro u vendos që verifikimi të jetë i vlefshëm deri në ditën e certifikimit të kandidatëve.

Por deri sa erdhi ky vendim ndërmjet anëtarëve të KQZ-së u zhvillua një debat i ashpër, pasi ishin të ndarë

Fillimisht drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, Yll Buleshkaj, ka njoftuar se Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate nuk i kanë zëvendësuar ende kandidatët për të cilët është vërtetuar nga KGJK-ja që në tri vjetët e fundit kanë probleme me ligjin.

Buleshkaj: Nga 47 kanë mbetur 26 kandidatë

 

“Janë disa subjekte politike të cilat i kanë zëvendësuar kandidatët. Është LDK-ja me një kandidat, PDK-ja me një kandidat, Partia e Romëve të Bashkuar, Lista Serbe, Vatani dhe disa të tjera që nuk i kanë zëvendësuar. Nga 47 kanë mbetur 26 kandidatë”, ka bërë të ditur Buleshkaj.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi kërkoi që të votohet rekomandimi i Zyrës së regjistrimit të partive politike si organ kompetent brenda KQZ-së.

Sami Kurteshi: Kjo është një përpjekje për eliminim politik të partive dhe listave të caktuara.

 

“Kjo është një përpjekje për eliminim politik të partive dhe listave të caktuara. Ne i kuptojmë rrethanat politike, e kuptojmë të gjithë tendencën, e kuptojmë procesin zgjedhor, preferencat e qytetarëve, por kjo është tendencë e vendeve autoritare për eliminimin e kandidatëve më të votuar nga qytetarët”, tha Kurteshi.

E përfaqësuesi i PDK-së në KQZ kërkoi nga Zyra për Regjistrimin e Partive politike që të publikoi të gjitha subjektet politike të cilat i kanë bërë ose jo zëvendësimet e kandidatëve.

Ndërsa u shpreh kundër votimit të rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, për certifikimin në pako të të gjitha subjekteve politike dhe listave të kandidatëve.

Arianit Elshani:Rekomandoj që t’i hyjmë secilës listë veç e veç

 

“Rekomandoj që t’i hyjmë secilës listë veç e veç, ashtu siç kemi bërë edhe herëve tjera ashtu siç përcaktohet me ligj”, tha ai.

Edhe anëtari i LDK-së, Sami Hamiti u shpreh kundër këtij rekomandimi, ndërsa tha se nuk do të votojë kandidatët të cilët janë listuar nga KGJK-ja si persona që kanë problem me ligjin.

Sami Hamiti: Kandidatët të cilët janë në listën e KGJK-së nuk do t’i votoj

 

“Listat në të cilat ka ende kandidatë të cilët janë në listën e KGJK-së unë nuk do t’i votoj. Është e qartë që voton kundër një aktgjykimi që e ka sjell institucioni më i lartë siç është Gjykata Kushtetuese. Prandaj, subjektet politike janë votuar një nga një, por edhe kandidatët janë votuar një nga një”, ka thënë ai.

Pordrejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, Yll Buleshkaj, tha se nuk është kompetencë e tyre të vlerësojnë nëse listat janë të pastra apo jo.

Buleshkaj: Zyra nuk e lejon vetën t’i quajë lista të pastra apo të papastra

 

“Kjo është një punë dhe një rekomandim që e kemi dhënë si zyre. E ka edhe pjesën individuale për secilin subjekt politik. Është çështje e juaj se si vendosni tani. Zyra në asnjë rast nuk e lejon vetën t’i quajë lista të pastra apo të papastra sepse nuk është në kompetencë tonë. Një person që ka një dënim në trafik nuk mund të jetë i papastër”, ka thënë ai.

Kryetarja e KQZ-së kërkoi që votimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë të bëhet një nga një dhe jo në pako.

Këtë propozim ajo e hodhi edhe në votim, ku 5 vota ishin për, ndërsa 6 kundër.

Daka: Secili subjekt politik i ka specifikat e veta dhe votohet veç e veç

 

“Nuk mundet në paketë me u vendos diçka që nuk është e njëjtë për të gjithë. Secili subjekt politik i ka specifikat e veta dhe votohet veç e veç, sepse është i veçantë dhe vet ka hy në garë. Kanë aplikuar veç e veç secili dhe do të certifikohen veç e veç”, tha ajo.

Mbledhja është duke vazhduar ende pasi nuk po ka pajtim ndërmjet anëtarëve të KQZ-së për mënyrën e votimit për certifikim të subjekteve politike por edhe të kandidatëve për deputetë.

Derisa LDK dhe PDK janë shprehur kundër certifikimit të kandidatëve që janë pjesë e listës së KGJK-së që kanë problem me ligjin, VV, AAK dhe Nisma po kërkojnë që të votohet në pako për të gjitha subjektet politike dhe listat e kandidatëve.

Kategoritë
LajmeVendi