Zjarr në një ndërtesë në Shqipëri, dhjetëra persona të asfiksuar

Sipas autoriteteve, dhjetëra persona janë asfiksuar nga tymi, mes tyre edhe personel zjarrfikës dhe disa fëmijë

Një ndërtesë në qytetin e Lushnjës është përfshirë nga zjarri, ndërkohë dhjetëra persona të asfiksuar nga tymi janë dërguar në spital, transmeton Anadolu.

Sipas autoriteteve, 42 persona janë asfiksuar nga tymi, mes tyre edhe personel zjarrfikës dhe disa fëmijë.

Për të shuar zjarrin në ndërtesën e cila shërbente si qendër tregtare dhe kompleks banimi, u angazhuan dhjetëra forca zjarrfikëse dhe forca policore, ndërkohë në vendin e ngjarje mbërritën edhe ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat nga Lushnja tha se strukturat shtetërore reaguan në kohë për t’iu përgjigjur një situate të vështirë. Në lidhje me shkaqet e zjarrit, Balla tha se do të ketë një hetim të plotë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka konfirmuar se të asfiksuarit janë jashtë rrezikut për jetën.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë në një njoftim ka theksuar se ministrja Koçiu ka vizituar qytetarët të cilët u dërguan për të marrë ndihmën e parë mjekësore në spital, pasi u asfiksuan nga zjarri.

“Sapo kemi vizituar të gjithë qytetarët që iu drejtuan spitalit në Lushnje. Janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë një pune të ekipit të mjekëve. Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë. Qytetarët kanë marrë mjekimet e nevojshme dhe për momentin nuk kanë asnjë shqetësim. Nga informacionet që kam, të gjithë janë të evakuuar, u shpreh ministrja Koçiu”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore të Shqipërisë, Skënder Brataj, në një deklaratë për mediat tha se janë dërguar 42 persona në spitalin e Lushnjës.

Kategoritë
LajmeRajoni