Vuçiq: Takim me Prishtinën të mërkurën ose të enjten në Bruksel

Presidenti serb Vuçiq tha se qeveria është e gatshme të takohet me opozitën, e cila kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por se duhet të presë derisa të përfundojnë bisedimet për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se do të takohet me delegacionin e Prishtinës të mërkurën ose të enjten në Bruksel, raporton Anadolu.

“Për ne është obligim sepse gjithmonë kemi besuar se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve. Dhe problemet po grumbullohen”, theksoi Vuçiq në konferencën për media.

Ai pretendon se që nga ardhja në pushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “ka pasur 401 sulme ndaj serbëve atje dhe 41 lëvizje të përshkallëzuara, që do të thotë se ata janë përpjekur të provokojnë konflikte në veri të Kosovës shumë herë”.

Vuçiq tha se Serbia ka biseduar me përfaqësuesit e serbëve në mënyrë që ata të jenë të gatshëm të pranojnë dialog për zgjedhjet e reja në veri, por është e qartë se nuk ka pasur diskutim që ata të lënë shtëpitë e tyre dhe t’ua lënë pronën atyre, të cilëve nuk u përkiste kurrë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve, Vuçiq tha se për një kohë të gjatë nuk i beson kryeministrit Kurti dhe se dëshiron zgjidhje të arsyeshme dhe racionale.

“Nëse më pyesni nëse jam për atë që e quajnë Serbi e madhe, unë do të them jo. Dhe Kurti nuk do të thotë kurrë se nuk është për një Shqipëri të madhe, por se nuk është prioritet”, tha Vuçiq.

Duke folur për zgjedhjet e kërkuara nga një pjesë e opozitës pro-perëndimore, e cila bllokoi punën e Kuvendit të Serbisë për dy ditë, Vuçiq tha se ka folur me përfaqësuesit e partive në pushtet, të cilët janë të gatshëm të plotësojnë kërkesat e opozitës.

Në një konferencë për media të hënën, opozita kërkoi që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe të Beogradit të shpallen para fundit të vitit, ndërsa Vuçiq tha sot se e kupton që opozita kërkon zgjedhje në të gjitha nivelet.

Ai shtoi se detajet teknike se si dhe kur do të mbahen zgjedhjet mbeten, por mendon se duhet pritur derisa të përfundojnë bisedimet për Kosovën dhe seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe se pas kësaj do të mbajë një takim të përbashkët me përfaqësues të autoriteteve për të marrë një vendim në përputhje me rrethanat.

Duke folur për ekonominë, Vuçiq tha se e mbështet vendimin që paga minimale në Serbi të jetë 402 euro. Ai shtoi se është marrë vendim që pensionistëve t’u paguhet një ndihmë e njëhershme prej 170.5 euro nga data 25 nëntor deri në 5 dhjetor.

Kategoritë
BotaLajmeRajoniVendi