UEFA “kundër” spektaklit “kuqezi” në Dortmund, nis procedimi disiplinor kundër “Kuqezinjve”

“Kuqezinjtë” tanë nuk ia dolën të siguronin qoftë edhe një pikë, në sfidën e parë, të këtij edicionit, të Kampionatit Evropian të futbollit, teksa në “Signal Iduna Park”, të Dortmundit u mund me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, nga “Të Kaltërit” e Italisë, mirëpo zhvilluan një lojë fantastike, duke rivalizuar jo pak kampionët në fuqi të Evropës.

Si të mos mjaftonte kjo, UEFA ka nisur procedim disiplinor kundër Shqipërisë, më saktësisht FSHF-së, për shkak të sjelljes që cilësohet e papërshtatshme nga ana e tifozëve të saj, ku edhe pse tifozët “kuqezi “e kthyen në festë të madhe stadiumin e Dortmundit, organizata ndërkombëtare ka sinjalizuar veprime që bien ndesh me rregulloret e saj.

Hyrja e tifozit në fushën e lojës në minuta e fundit të ndeshjes, duke sjellë ndërprerjen e saj për pak çaste është pjesë e këtij hetimi disiplinor, ku sipas raportimeve më të fundit të mediave ndërkombëtare, po shqyrtohet pushtimi i fushës, por edhe ndezja e fishekzjarrëve në tribuna apo edhe hedhja e objekteve.

Gjithashtu, në “llogari” të Shqipërisë është edhe “transmetimi i një mesazhi provokues, i papërshtatshëm për evenimente sportive” nga ana e mbështetësve shqiptarë, mirëpo edne nuk është specifikuar për çfarë bëhej fjalë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoniSport