Ambasadori i Türkiye-s në Shkup, Sekizkök tha se vendi i tij ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut, ekstradimin dhe dëbimin e rreth 80 pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO.
Ambasadori i Türkiye-s (Turqisë) në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök deklaroi se vendi i tij ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut, ekstradimin dhe dëbimin e rreth 80 pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).
Sekizkök në takimin me gazetarët në rezidencën e ambasadës në Shkup rikujtoi se 15 korriku në Türkiye shënohet si dita e demokracisë dhe unitetit kombëtar. Ai theksoi se më 15 korrik 2016 është përjetuar një tentativë për grusht shteti, një përpjekje e paprecedentë në historinë botërore.
Ambasadori tha se tentativa për grusht shteti ka mbetur e pasuksesshme falë lidershipit të presidentit Recep Tayyip Erdoğan si dhe qëndrimit të vendosur të forcave të sigurisë dhe popullit turk. Sekizkök vuri në dukje se është e rëndësishme të mos harrohet kjo tentativë.
Sekizkök tha se FETO është një organizatë terroriste e gjeneratës së re, që ka adoptuar një strategji për të infiltruar në institucione shtetërore me qëllim të pushtimit dhe kapjes së shtetit nga brenda. Ai tha se FETO, të rinjtë që i ka abuzuar nën petkun e arsimit dhe shërbimit i ka vendosur në institucionet shtetërore, ndërsa përveç strukturave arsimore dhe mediatike, ajo është organizuar në Türkiye dhe vende të ndryshme me struktura të maskuara që operojnë në fushën ekonomike si sektori bankar dhe sipërmarrjet tregtare.
Sipas tij, në 6 vitet e kaluara lufta kundër FETO-s brenda dhe jashtë vendit ka qenë në mesin e prioriteteve të shtetit turk. “Përgjegjësit për tentativën e grushtit të shtetit të 15 korrikut brenda vendit u sollën para drejtësisë. Është deshifruar strukturimi organizativ i FETO-s brenda institucioneve shtetërore. Janë eliminuar strukturat e maskuara të FETO-s jashtë institucioneve shtetërore që përfshijnë fushat e arsimit, medias dhe jetës ekonomike. FETO, pas eliminimit të strukturimit të saj në Türkiye, ka shkuar në ndryshim të strategjisë. Ka filluar t’u japë rëndësi aktiviteteve të saj jashtë vendit. Për këtë shkak, lufta kundër strukturimit të FETO-s jashtë vendit është një ndër pikat prioritare të Türkiye-s”, u shpreh ai.
Ambasadori turk tha se homologëve të tyre ua shpjegojnë se FETO përbën një kërcënim sigurie edhe për vendet e tjera ku vepron, duke vazhduar:
“Janë vënë në veprim edhe proceset ligjore në lidhje me pjesëtarët e FETO-s jashtë vendit. Në kuadër të hetimeve të ngritura në Türkiye, kërkesat tona për ekstradim dhe dëbim u janë përcjellë vendeve përkatëse. Gjithashtu vijon puna jonë në drejtim të ngrirjes së aseteve të individëve dhe organizatave që ofrojnë financim për organizatën”.
“Vazhdojnë edhe iniciativat tona për mbylljen e institucioneve arsimore të FETO-s jashtë vendit dhe transferimin e tyre tek Fondacioni Turk Maarif. Jemi duke marrë rezultatet pozitive nga këto përpjekje. Në vende të ndryshme janë identifikuar veprime të paligjshme të strukturave të FETO-s. Ka filluar të kuptohet se FETO vepron duke u fshehur pas imazhit të edukimit dhe bamirësisë. Në 45 vende i është dhënë fund aktiviteteve të shkollave të FETO-s. Gjithashtu në 20 vende mbi 200 shkolla janë marrë përsipër nga Fondacioni Turk Maarif”, potencoi Sekizkök.
Ai ndër të tjera rikujtoi se Fondacioni Turk Maarif pas 15 korrikut në të gjitha vendet ka hapur shkolla që ofrojnë arsim me standarde të larta, ka shpëtuar shumë nxënës nga kurthi i FETO-s, ndërsa në mesin e vendeve që Fondacioni vepron është edhe Maqedonia e Veriut.
– “Presim hapa konkrete lidhur me ekstradimin e personave të lidhur me FETO-n nga Maqedonia e Veriut”
Sekizkök theksoi se vazhdon prania e FETO-s në Maqedoninë e Veriut.
“Tre shkolla të lidhura me FETO-n funksionojnë në Shkup, Tetovë dhe Strugë nën petkun e institucionit arsimor. Presim që Maqedonia e Veriut të hedhë hapa konkrete lidhur me mbylljen e tyre dhe me ekstradimin e personave të lidhur me FETO-n. Ne i theksojmë këto kërkesa në nivelin më të lartë. Do të jemi ndjekës të kësaj çështjeje derisa të eliminohet plotësisht kjo organizatë terroriste nga Maqedonia e Veriut. Presim që të gjitha vendet të bashkëpunojnë në luftimin e terrorizmit në të gjitha format dhe manifestimet e tij”, tha ai.
Lidhur me pyetjen nëse vallë ka ndonjë numër të saktë të personave që Türkiye ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut dhe zhvillimet mbi këtë temë, ambasadori Sekizkök theksoi: “I kemi numrat. Mund të them rreth 80, numri i personave që kemi kërkuar për ekstradim dhe dëbim. Fatkeqësisht lidhur me këtë nuk ka ndonjë zhvillim. Por, ashtu siç e theksova më parë, nuk do të thotë se mungesa e zhvillimit nuk do të thotë se çështja është e mbyllur për ne. Do të vazhdojmë të ndjekim këtë çështje”.
Sekizkök shtoi se “Lidhur me këtë, mendoj se vitin e kaluar qeverisë iu drejtua një pyetje parlamentare. Nuk mund të themi se kemi marrë përgjigje shumë të kënaqshme, iu përgjigj kësaj pyetjeje me një deklaratë me shkrim. Nuk ishte përgjigje e kënaqshme. Kjo çështje, ashtu siç theksova më parë, nuk janë vetëm kërkesat tona për ekstradim dhe dëbim, është po aq e rëndësishme, prania e shkollave të FETO-s këtu, tre shkollat janë duke funksionuar. Njëra është në kryeqytet, ka edhe në Strugë dhe Tetovë. Presim që sa më shpejt këto të mbyllen dhe të merren përsipër nga Fondacioni Maarif”.
Lidhur me pyetjen se kur mund të realizohet mbyllja e këtyre institucioneve arsimore në Maqedoninë e Veriut, ambasadori Sekizkök tha se presin të ndërmerren veprime, ndjekin me këmbëngulje dhe se çështja e eliminimit të pranisë së FETO-s në Maqedoninë e Veriut është sjellë në axhendë nga presidenti Erdoğan gjatë vizitës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në Türkiye.
Sa i përket pyetjes nëse vallë kërkesat për ekstradim dhe dëbim kanë të bëjnë për personat që janë të lidhur me FETO-n, Sekizkök tha se të gjitha këto kërkesa janë për personat e lidhur me FETO-n.










