Turqia dhuron uniforma për ushtrinë e Maqedonisë së Veriut

“Turqia, si një vend i përparuar në fushën e industrisë së mbrojtjes, do të vazhdojë të ofrojë çdo lloj mbështetje në modernizimin e ushtrisë së Maqedonisë së Veriut”, tha ambasadori turk.

Turqia ka ndarë një donacion të përbërë nga uniforma të prodhimit të saj për pjesëtarët e ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dorëzimi i donacionit prej 7.400 uniformash (pallto dhe pantallona) Gore-tex u zhvillua në kazermën “Ilinden” në Shkup, ceremoni në të cilën të pranishëm ishin ministrja e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska dhe ambasadori turk në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök.

Pas ceremonisë së dorëzimit, ministrja Shekerinska tha se Turqia ka qenë një aleate shumë e zëshme dhe e vazhdueshme në të gjitha vitet e politikës së Maqedonisë së Veriut të pranimit në NATO. Ajo shtoi se Turqia në mënyrë të përsëritur në takimet e NATO-s ka theksuar se stabiliteti në rajon mund të rritet vetëm nëse Maqedonia e Veriut anëtarësohet në NATO.

“Sot, ne jemi këtu së bashku me ambasadorin turk për të mirëpritur këtë donacion të fundit nga aleatët tanë, që janë 7.400 kostume Gore-tex, me të cilat çdo pjesëtar i ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, përveç pajisjeve themelore do të marrë edhe një kostum Gore-tex i cili i mundëson atij të jetojë, ushtrojë aktivitete dhe operacione në të gjitha kushtet e motit”, tha Shekerinska.

Shekerinska tha se vitet e kaluara ushtria është përballur me problemet me pajisjet personale dhe uniformat, çështje të cilat tani janë të zgjidhura.

Shekerinska po ashtu tha se kjo është vetëm një pjesë e vogël e mbështetjes që Turqia ka dhënë në të kaluarën dhe në vitet e fundit për Maqedoninë e Veriut.

Ambasadori Sekizkök, nga ana e tij, theksoi se sot në Maqedoninë e Veriut, “në zemër të Ballkanit, edhe një herë jemi mbledhur me shumë kënaqësi për të pranuar solidaritetin dhe bashkëpunimin shekullor midis popujve”.

Sekizkök tha se donacioni forcon më tej rëndësinë e bashkëpunimit midis forcave ushtarake të të dy vendeve.

“Turqia, si një vend i përparuar në fushën e industrisë së mbrojtjes, do të vazhdojë të ofrojë çdo lloj mbështetje në modernizimin e ushtrisë së Maqedonisë së Veriut”, tha ambasadori turk.

Më tej, ai theksoi se bashkëpunimi midis dy vendeve në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të zhvillohet në të gjitha fushat.

Ndër të tjera, Sekizkök shprehu bindje se ushtria e Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të kryejë me sukses detyrat e saj.

Kategoritë
LajmeRajoni