Sipas të dhënave të postuara në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, vendkalimi në Bërnjak është i bllokuar edhe për hyrje në Kosovë
Vendkalimet kufitare Jarinjë, Bërnjak dhe Merdare, që lidhin Kosovën me Serbinë, nga mbrëmë vazhdojnë të mbesin të bllokuara për kamionë dhe autobusë, raporton Anadolu.
Sipas të dhënave të postuara në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, vendkalimi në Bërnjak është i bllokuar edhe për hyrje në Kosovë, ndërsa pikat kufitare Jarinjë dhe Merdare janë bllokuar për kalimin e kamionëve dhe autobusëve, por jo edhe për vetura private.
Paraprakisht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës njoftoi mbrëmë se në territorin e Serbisë, në afërsi të vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Merdarë, për shkak të protestave nuk është e mundur të kalojnë autobusët dhe kamionët që vijnë nga Kosova. Gjithashtu u bë e ditur se kalimi i veturave nuk është i sigurt.
Ministria u bëri thirrje qytetarëve që tashmë kanë hyrë në territorin e Serbisë që të përdorin pikat kufitare Mutivodë dhe Dheu i Bardhë, ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut, ndërsa ata që nuk kanë hyrë ende në Serbi, ta shmangin rrugën përmes këtij vendi.
“Duke pasur parasysh që qarkullojnë shumë lajme të rreme që kanë për qëllim përhapjen e frikës, ftojmë të gjithë qytetarët që ta përcjellin Policinë e Kosovës për informacionet më të fundit zyrtare në lidhje me këtë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Kryeministri Kurti më 15 qershor në një konferencë për media tha se për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin si masë sigurie dhe jo si masë ekonomike dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese. Ai tha se veprimet e radhës do të ndërmerren duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse.
Siç raportojnë mediat vendore, pikërisht kjo është arsyeja që kamionët që presin prej ditësh në anën serbe të pikave kufitare për të hyrë në Kosovë vendosën të bllokojnë daljen e kamionëve dhe autobusëve që vijnë nga Kosova në drejtim të Serbisë.
Kjo ndodhi pasi forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës më 14 qershor, të cilët ishin në shërbim në zonën kufitare në veri të Kosovës.







