Trajneri i Rumanisë e ofendon Kosovën: Gënjejnë si njerëz të paturpshëm!

Trajneri i Rumanisë, Mircea Lucescu po vazhdon t’i ofendojë kosovarët.

Legjenda rumune është mllefosur nga vendimi i Kombëtares së Kosovës për të dalë nga fusha dhe për të mos u kthyer më të premten që shkoi në fund të përballjes mes këtyre dy Kombëtareve.

Pala kosovare konsideroi se nuk duhej të kthehej në një fushë ku lojtarët po fyheshin në baza raciste, shkruan.

Sidoqoftë, selektori i rumunëve ka vazhduar t’i rëndojë kosovarët me deklaratat e tij edhe pas fitores ndaj Qipros mbrëmë me rezultat 4:1, në ndeshjen e vlefshme për Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

“Në një moment e kupton se këta persona vijnë, i prishin gjërat dhe sipas tyre kjo është në rregull. Gënjejnë si njerëz të paturpshëm dhe gjithashtu thonë se kanë arsye dhe të drejt. Kjo nuk është e mundur. Duhet të ketë pak mirësjellje në krejt këtë çështje”, deklaroi Lucescu në konferencë për shtyp.

Rumunët po kërkojnë fitore në tavolinë, 3:0 ndaj Kosovës për shkak se ekipi Dardan nuk u rikthye në fushën e blertë përkundër kërkesës së referit, i cili më pas e mbylli lojën me ekipin rumun, si të vetmin që u rikthye në fushën e blertë.

UEFA mund të vendos gjatë kësaj jave për ndeshjen e ndërprerë në Bukuresht, madje para së premtes, kur do të hidhet shorti i “play-offit”.

Kategoritë
LajmeSport