Greqia planifikon të zgjerojë ujërat e saj territoriale, duke përfshirë potencialisht edhe zonën e ndjeshme të Detit Egje, deklaroi të premten ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis.
Ky paralajmërim vjen pavarësisht qëndrimit shumëvjeçar të Turqisë, sipas të cilit çdo hap i tillë nga Athina do të konsiderohej si shkak i drejtpërdrejtë për luftë.
Edhe pse këto dy aleate të NATO-s vitet e fundit kanë punuar për uljen e tensioneve, ato mbeten thellësisht të ndara lidhur me çështjen se ku fillojnë dhe ku përfundojnë shelftet e tyre kontinentale në Detin Egje – një zonë që besohet se fsheh burime të konsiderueshme energjetike, por që gjithashtu ka implikime kyçe për kontrollin e hapësirës ajrore.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në parlament, Gerapetritis konfirmoi se priten hapa të rinj nga Athina në këtë drejtim.
“Sot sovraniteti ynë në Detin Egje shtrihet në gjashtë milje detare”, tha Gerapetritis, duke shtuar: “Ashtu siç u arrit marrëveshja me Egjiptin dhe marrëveshja me Italinë, do të ketë edhe (zgjerim të mëtejshëm) të ujërave territoriale.”
Edhe pse kreu i diplomacisë greke nuk saktësoi se cilat zona detare do të përfshihen saktësisht nga ky plan, vetë paralajmërimi prek “vijën e kuqe” të Ankarasë. Greqia më herët i ka zgjeruar ujërat e saj territoriale në Detin Jon nga gjashtë në 12 milje detare pas marrëveshjes me Italinë, ndërsa ka nënshkruar një marrëveshje të ngjashme për përcaktimin e kufijve detarë me Egjiptin në Mesdheun Lindor.
Megjithatë, deri më sot Athina ka shmangur hapa të tillë në Detin Egje për shkak të reagimeve të ashpra nga Turqia.
Kontesti për gjerësinë e ujërave territoriale zgjat prej dekadash. Që në vitin 1995, parlamenti turk shpalli zyrtarisht “casus belli” (shkak lufte) nëse Greqia do të zgjeronte në mënyrë të njëanshme ujërat e saj përtej gjashtë miljeve detare aktuale në Egje.
Turqia pretendon se një zgjerim i tillë do ta shndërronte praktikisht Detin Egje në “liqen grek”, duke i bllokuar bregdetit turk qasjen në ujërat ndërkombëtare dhe duke kufizuar tregtinë detare si dhe manovrat ushtarake.
Marrëdhëniet u vunë sërish në provë edhe në korrik të këtij viti, kur Greqia prezantoi kufijtë e dy parqeve të planifikuara detare në Detin Jon dhe Detin Egje. Sipas hartave të dorëzuara nga Athina, parku në Detin Egje, i cili mbulon rreth 9.500 kilometra katrorë, parashihet të shtrihet rreth Kikladeve Jugore.
Ky hap menjëherë shkaktoi kundërshtime nga Ankara, e cila e sheh atë si përpjekje për të konfirmuar në mënyrë indirekte sovranitetin mbi zonat e kontestuara.
Nga ana tjetër, Athina zyrtare vazhdon të mbajë qëndrimin se e vetmja çështje për të cilën është e gatshme të bisedojë me Turqinë është demarkacioni i zonave detare – duke përfshirë shelfin kontinental dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike (ZEE/EEZ) – duke refuzuar negociata për çështje që i konsideron si të drejta sovrane të patjetërsueshme.











