Tensione në protestën para Bashkisë së Tiranës

Protesta u shoqërua nga tensionet dhe përplasjet me policinë, pasi protestuesit hodhën molotovë, tymuese dhe sende të tjera ndaj selisë së bashkisë

Në Shqipëri është organizuar një tjetër protestë për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, ndërkohë protesta është shoqëruar përsëri me tensione, raporton Anadolu.

Protesta është organizuar me thirrjen e përfaqësuesve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë së Lirisë, si dhe aktivistëve të shoqërisë civile, para selisë së Bashkisë së Tiranës.Protesta u shoqërua nga tensionet dhe përplasjet me policinë, pasi protestuesit hodhën molotovë, tymuese dhe sende të tjera ndaj selisë së bashkisë.

 

Gjatë momenteve të tensioneve u shkaktua edhe zjarr në hyrje të godinës së Bashkisë së Tiranës.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndërkohë pjesë e protestës ishin edhe përfaqësues të partive opozitare.

Protestat e fundit organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Refuzimi për deklarimin, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive”.

Organizatorët e protestës së sotme kanë paralajmëruar vijimin e protestave para Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë, për shkak të protestës mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës e planifikuar të mbahej sot brenda ambienteve të bashkisë u zhvillua online.

Kategoritë
LajmeRajoni