“Të mbështesim armëpushimin”/ SHBA thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB të votojë “pro” planit për Gazën

Amerika kërkon mbështetjen e OKB-së për të ecur para dhe vënë në zbatim planin që ka shpallur për armëpushimin në Gaza. Draft rezoluta është mbështetur më herët nga G7 dhe vendet kryesore arabe

Shtetet e Bashkuara i kërkuan Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështesë planin trefazor të shpallur nga Presidenti Joe Biden, për përfundimin e luftës 8 mujore në Gaza

Propozimi përfshin lirimin e të gjithë pengjeve dhe dërgimin e ndihmave masive në zonat e shkatërruara.

“Shumë liderë dhe qeveri, përfshirë rajonin, e kanë miratuar këtë plan dhe ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që t’i bashkohet atyre për zbatimin e marrëveshjes pa vonesë dhe pa kushte të mëtejshme”, deklaroi Ambasadorja Amerikane, Linda Thomas-Greenfield duke shtuar se aty përfshihen shumë pika që të gjithë i kanë kërkuar ndaj nuk mund të lihet një mundësi e tillë të kalojë.

Projekt rezoluta mirëpret marrëveshjen e 31 majit të shpallur nga Biden dhe bën thirrje të pranohet plotësisht nga dy kundërshtarët pa vënë në diskutim kushtet.

Hamasi ka pohuar se e sheh propozimin “pozitivisht” ndërsa nga Izraeli nuk është dhënë ndonjë shenjë pranimi.

Të hënën, ministrat e jashtëm të pesë vendeve kryesore arabe – Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari dhe Egjipti i kërkuan Izraelit dhe Hamasit që ta mendojnë seriozisht propozimin.

Edhe grupi i shtatë vendeve të mëdha të industrializuar – SHBA, Britania, Franca, Gjermania, Japonia, Kanadaja dhe Italia gjithashtu e kanë mbështetur planin e armëpushimit me 3 pika.

Kategoritë
LajmeVendi