Nga: Bayram POMAK
Fundjavën e kaluar, sulmet e kryera ndaj turqve në vendin e vogël ballkanik, Mal të Zi, tronditën opinionin publik. Askush nuk arriti t’i japë kuptim këtyre sulmeve. Po ashtu, vendimi i qeverisë malazeze për të vendosur regjim vizash për shtetasit turq u prit me habi të madhe. Megjithatë, për ta kuptuar më mirë këtë situatë, duhet të hedhim një vështrim mbi debatet e fundit që po zhvillohen në Mal të Zi. Vetëm duke i kuptuar këto diskutime, mund të kemi një pasqyrë më të qartë mbi arsyet dhe mënyrën se si ndodhën ngjarjet.
Mali i Zi është një vend i vogël me rreth 620 mijë banorë, që ka dalje në Detin Adriatik. Edhe pse një vend i vogël, për shkak të pozitës së tij strategjike, është shndërruar në një prej zonave të rivalitetit midis NATO-s dhe Rusisë. Para se të bëhej anëtare e NATO-s në vitin 2017, ndaj qeverisë që mbështeste anëtarësimin në aleancë u organizua një tentativë grushti shteti, pas së cilës doli se qëndronte Rusia.
Kuptimi i kësaj pozite strategjike të Malit të Zi është thelbësor për të analizuar drejt zhvillimin e ngjarjeve. Edhe sot, niveli i kundërshtimit ndaj NATO-s dhe Perëndimit në vend është rreth 40 për qind. Përveç kësaj, Mali i Zi konsiderohet si një nga vendet më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian në rajonin e Ballkanit.
Mali i Zi, veçanërisht gjatë pesë viteve të fundit, po përballet me një valë të shpejtë migrimi. Pas shpërthimit të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, vendi pranoi një numër të madh emigrantësh rusë dhe ukrainas. Përveç kësaj, është vërejtur një rritje e ndjeshme edhe e migrimit të shtetasve turq drejt Malit të Zi. Vendosja e rreth 100 mijë personave në një vend të vogël me vetëm 620 mijë banorë ka krijuar perceptimin e një “ndryshimi demografik” në opinionin publik. Për këtë arsye, kanë nisur debatet mbi nevojën e rishikimit të politikës së migracionit në vend.
Presidenti Jakov Milatoviq, në një deklaratë të mëparshme, kishte theksuar se “vendi tani duhet të ndjekë një politikë migracioni më të përgjegjshme”. Rritja e migracionit solli me vete edhe pasoja ekonomike. Veçanërisht çmimet e banesave dhe të qirave u rritën ndjeshëm. Sipas të dhënave zyrtare, çmimi mesatar për metër katror nga 1.100 euro u ngjit në 2.200 euro, ndërsa qiratë u rritën me rreth 80 %. Të gjitha këto zhvillime nxitën ndjenjat ksenofobike dhe armiqësinë ndaj të huajve në shoqëri.
Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është fakti se, edhe pse shumica e emigrantëve janë rusë, ukrainas dhe serbë, kur përmendet fjala “i huaj” ose “emigrant”, për arsye historike, njerëzit gjithnjë e më shpesh mendojnë për turqit dhe myslimanët.
Rreth dy javë para këtyre ngjarjeve, një nga figurat kryesore të opozitës në Mal të Zi, Nebojša Medojeviq, në një deklaratë për televizionin ADRIA, kishte përdorur këto fjalë:“Ne as që po flasim për një problem serioz që e quajmë ‘faktori turk’. Këtu jetojnë rreth 100 mijë shtetas turq dhe më shumë se 6 mijë kompani turke po zhvillojnë projekte të rëndësishme në vend.
‘A ka shteti ndonjë kontroll mbi ta?’ Asnjë kontroll. As Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk i monitoron.Logjikisht, nëse doni të zbatoni një politikë migracioni dhe të pranoni njerëz në vendin tuaj, së pari duhet të bëni një vlerësim sigurie. Ky është një projekt i madh, një fuqi e madhe. Kanë ardhur 100 mijë njerëz; shumica janë familje të reja me fëmijë. Ata nuk kanë ardhur këtu për t’u strehuar si rusët apo ukrainasit, por për të jetuar këtu. Ky është një projekt serioz shtetëror — neo-osmanizimi i gjeografisë ballkanike.
Ata tashmë kanë një ndikim serioz këtu; Partia Boshnjake po vepron praktikisht si një mjet i interesave të Turqisë.Dua vetëm të theksoj këtë: ne jemi kthyer në një zonë ndikimi të një fuqie të madhe. Kjo situatë po kërcënon interesat ekonomike dhe të sigurisë të vendit tonë.”
Këto deklarata të Medojeviqit përfaqësonin në fakt përmbledhjen e qëndrimit që një pjesë e shoqërisë malazeze ka ndaj turqve. Fjalët e tij ndezën edhe më shumë debatin për “ndikimin turk” që tashmë po fitonte terren në opinionin publik të vendit.
Në mes të gjithë këtyre debateve, nata ndërmjet 25 dhe 26 tetorit ndezi tensionet me një incident të rëndë me thikë në lagjen Zabjelo të kryeqytetit Podgoricë. Në sulm, një qytetar malazez mbeti rëndë i plagosur. Pas hetimeve të para, policia konstatoi se në ngjarje ishin përfshirë një shtetas turk dhe një shtetas azerbajxhanas.
Kur ngjarja u pasqyrua në mediat vendase si “akt dhune ku janë përfshirë të huaj”, të nesërmen disa grupe ekstreme dolën në rrugët e qendrës së qytetit. Makinat me targa turke dhe bizneset turke u bënë objekt sulmi; veçanërisht disa restorante dhe kafene turke u qëlluan me gurë. Disa shtetas turq u detyruan të strehohen në hotele ose kazino për arsye sigurie.
Pas incidentit, policia malazeze ngriti një numër të madh pikash kontrolli në të gjithë qytetin. Më shumë se 40 shtetas turq dhe azerbajxhanas u ndaluan për verifikim të identitetit dhe lejeve të qëndrimit. Po atë mbrëmje, kryeministri Milojko Spajiq njoftoi se qeveria do të pezullojë “me procedurë urgjente” regjimin pa viza për shtetasit turq.
Ky vendim i menjëhershëm dhe i papritur i qeverisë shkaktoi reagime të gjera në opinionin publik. Avokati i Popullit i Malit të Zi, Siniša Bjekoviq, në një fjalim para Kuvendit, e kritikoi ashpër këtë vendim, duke deklaruar:“Jam plotësisht dakord që përgjegjësia duhet të jetë individuale, por duhet t’ju them se kjo bie ndesh me deklaratën që kryeministri bëri mbrëmë. Kryeministri, për shkak të një rasti të vetëm që të gjithë ne e dënojmë, njoftoi se sot të gjithë shtetasit e Turqisë do t’i nënshtrohen regjimit të vizave.”
Nëse po flasim që përgjegjësia duhet të përcaktohet individualisht, për këtë jam plotësisht dakord. Megjithatë, mendoj se qëndrimi i kryeministrit në këtë rast është jashtëzakonisht i gabuar nga shumë këndvështrime.Dua të nënvizoj vetëm një pikë: “Çfarë do të ndodhë nëse Republika e Turqisë na përgjigjet në të njëjtën mënyrë?”
Vendimi i qeverisë u kritikua dhe u përball me reagime nga shumë qytetarë malazezë. Ata theksuan se masa u mor me ngut dhe se nuk kuptonin pse u veprua kaq shpejt.
Si përgjigje ndaj percepsionit se në vend ndodhen 100 mijë turq, Ministria e Brendshme deklaroi se në Mal të Zi jetojnë 13.400 shtetas turq dhe se vetëm 85 prej tyre kanë leje qëndrimi të përhershme. Ata që kritikuan qeverinë po pyesin pse këto shifra nuk u bënë publike më parë dhe si lejohej të krijohej perceptimi sikur kishte 100 mijë turq. Media ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e kësaj perceptimi; grumbullimi i lajmeve negative rreth turqve kontribuoi ndjeshëm në rritjen e tensionit.
Nëse shikojmë të dhënat statistikore të krimeve, rezulton që turqit janë ndër të huajt me më pak përfshirje në krime në Mal të Zi. Sipas shifrave zyrtare, të huajt që rezultuan më shumë të përfshirë në krime janë, në rendin e numrit: serbët (936 vepra), kosovarët (439 vepra), shqiptarët (323 vepra), boshnjakët (321 vepra), rusët (260 vepra) dhe turqit (253 vepra).
Nga ana tjetër, kreu i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat Fejziç, theksoi se çështja nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me turqit dhe bëri këtë vlerësim:“Disa politikanë po nxisin popullin. Për më tepër, ata po shpërndajnë me qëllim dhe në mënyrë të rreme informacionin se ‘110 mijë turq’ gjenden në vend. Disa politikanë bien pre e këtij mashtrimi. Por problemi nuk janë turqit; problemi kryesor është Mali i Zi — se si do ta destabilizojnë këtë vend dhe si do ta çojnë larg rrugës drejt Europës.”
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë, në një deklaratë të bërë, njoftoi se gjatë fundjavës në Mal të Zi kanë ndodhur disa zhvillime të pakëndshme që kanë prekur edhe shtetasit turq. Në njoftim thuhej:“Menjëherë pas fillimit të ngjarjeve, janë vendosur kontakte me autoritetet malazeze dhe janë marrë masat e nevojshme për sigurimin e mbrojtjes së shtetasve tanë.”
Siç e përmendëm më parë, në prapaskenën e këtyre ngjarjeve qëndrojnë si debatet e vazhdueshme në opinionin publik malazez rreth migracionit, ashtu edhe përpjekjet për destabilizimin e vendit për shkak të pozicionit të tij gjeopolitik. Serbia, herë pas here, ka ndërmarrë hapa që synojnë destabilizimin e Malit të Zi; madje, tentativa për grusht shteti gjatë procesit të anëtarësimit në NATO është raportuar në gjykata se ishte planifikuar nga Rusia përmes Serbisë. Ndërkohë, ndërhyrjet e Serbisë në përplasjet ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe institucioneve malazeze kanë qenë gjithashtu temë e shpeshtë diskutimi.
Në këtë kontekst, nuk duhet lënë jashtë vëmendjes edhe çështja e shitjes së armëve nga Turqia në Kosovë, e cila përbën një tjetër element të prapaskenës së ngjarjeve. Për këtë arsye, nuk mund të thuhet se ajo që ndodhi në Mal të Zi ishte një “incident i vogël”. Menjëherë pas ngjarjeve, u raportua se grupe paramilitare, të cilat dyshohet se mbështeten nga Serbia, u organizuan dhe sulmuan objekte e automjete që u përkisnin turqve. Fushata mediatike me slogane si “Turqit po e ndryshojnë demografinë tonë” krijoi terrenin psikologjik për një atmosferë urrejtjeje.
Në përmbledhje, vlerësohet se kjo “operacion” është planifikuar dhe zbatuar në koordinim ndërmjet disa aktorëve në Serbi dhe Mal të Zi. Qëllimi mund të jetë dobësimi ose frenimi i pranisë turke në vend. Megjithatë, burimi i këtyre veprimeve nuk duhet kërkuar vetëm në zhvillimet politike të sotme, por edhe në arsyet më të thella që lidhen me historinë dhe me nënvetëdijen kolektive të mbarsur me ndjenja armiqësie ndaj turqve.
Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.


















