Araghchi: Sulmet do të vazhdojnë ndaj objekteve “të përdorura” në sulme kundër Iranit

“Forcat tona të Armatosura po kryejnë sulme në vetëmbrojtje ndaj objekteve që SHBA-ja lejohet të përdorë për të sulmuar transportin civil dhe për të shkelur armëpushimin”, tha Araghchi

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani do të vazhdojë sulmet ushtarake ndaj objekteve që, sipas tij, janë përdorur në sulme kundër Iranit, pasi Garda Revolucionare Islamike (IRGC) lëshoi raketa ndaj Kuvajtit dhe Bahreinit, transmeton Anadolu.

“Forcat tona të Armatosura po kryejnë sulme në vetëmbrojtje ndaj objekteve që SHBA-ja lejohet të përdorë për të sulmuar transportin civil dhe për të shkelur armëpushimin”, shkroi Araghchi në rrjetin social amerikan në X.

“Çdo akt armiqësor do të marrë një përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare. Ajo që nuk u arrit me sanksione dhe luftë nuk do të arrihet as me më shumë luftë”, shtoi ai.

Deklaratat erdhën në përgjigje të komenteve të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili vlerësoi bashkëpunimin e aleatëve rajonalë të Washingtonit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajtin.

“Mendoj se aleatët tanë në rajon kanë qenë shumë bashkëpunues, disa, sigurisht, shumë agresivisht bashkëpunues, si për shembull Emiratet e Bashkuara Arabe. Kuvajti ka qenë fantastik në këtë pjesë,” tha Rubio.

Tensionet rajonale janë rritur që nga fundi i shkurtit, pasi SHBA dhe Izraeli kryen sulme ajrore ndaj Iranit, duke vrarë më shumë se 3.000 persona, përfshirë ish-udhëheqësin suprem, Ayatollah Ali Khamenei dhe disa komandantë të lartë ushtarakë dhe zyrtarë qeveritarë.

Në shenjë hakmarrjeje, Teherani ka shënjestruar Izraelin dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza amerikane dhe ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global detar.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Pakistani hyri në fuqi më 8 prill, ndërsa përpjekjet për të arritur një marrëveshje më të gjerë kanë vazhduar që atëherë.

IRGC të mërkurën tha se ka goditur një bazë amerikane në Kuvajt dhe selinë e Flotës së Pestë të SHBA-së në Bahrein, në shenjë hakmarrjeje për një sulm amerikan gjatë natës ndaj një kulle komunikimi në ishullin jugor Qeshm.

Kategoritë
BotaLajme