PRISHTINË – Federata e Çiklizmit e Kosovës ka mbajtur konferencë për media në prag të organizimit të Kampionatit Ballkanik të Çiklizmit 2026, ngjarja më e madhe e këtij sporti që do të zhvillohet për herë të parë në Kosovë më 5, 6 dhe 7 qershor.
Presidenti i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha, deklaroi se organizimi i kampionatit është përballur me sfida dhe tentativa për ta penguar zhvillimin e tij, por falë angazhimit të federatës dhe mbështetjes së institucioneve ndërkombëtare, gara do të mbahet sipas planit.
“Besoni, një luftë të madhe e kemi pasur para dy javëve. Ka pasur hezitime dhe pretendime që ky aktivitet të dezertohet nga disa shtete të cilat neve nuk na e duan të mirën. Mirëpo puna jonë ka bërë që sot të jemi këtu. Disa shtete e kishin konfirmuar pjesëmarrjen më 5 maj, ndërsa konfirmimi final ka ardhur më 23 maj pas konsultimeve të jashtëzakonshme me institucionet relevante, siç është UCI,” tha Nuha.
Ai theksoi se në kampionat do të marrin pjesë 10 shtete, ndërsa sipas tij, faktorët politikë kanë ndikuar që disa vende të mos jenë pjesë e garës.
“Do të jenë dhjetë shtete. Fatkeqësisht, në Stamboll kundër organizimit tonë kanë votuar edhe Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Dymbëdhjetë shtete kanë qenë pro, por për shkak të politikave të tyre nuk kanë mundur të vijnë. Fatkeqësisht, e kanë involvuar edhe Bosnjën e Hercegovinën,” u shpreh ai.
Megjithatë, Nuha falënderoi të gjitha ekipet që kanë konfirmuar pjesëmarrjen, duke theksuar rëndësinë e këtij organizimi për sportin kosovar.
“Ju uroj të gjitha ekipeve mirëseardhje. Brenda këtij karavani sportiv janë edhe katër shtete të cilat nuk na kanë njohur si shtet, dhe është një nder e privilegj për Kosovën që ato të marrin pjesë dhe ta nderojnë shtetin tonë,” deklaroi presidenti i federatës.
Sa i përket pritshmërive sportive, Nuha u shpreh optimist për paraqitjen e çiklistëve kosovarë.
“Në elitë besoj se do të jemi në pesëshen e parë, ndërsa juniorët dhe kadetët besoj se do të jenë në treshen e parë. Kanë bërë një përgatitje të jashtëzakonshme,” tha ai.
Kampionati Ballkanik i Çiklizmit 2026 konsiderohet një moment historik për sportin kosovar, pasi për herë të parë Kosova do të jetë nikoqire e një ngjarjeje të tillë ndërkombëtare. Gjatë tri ditëve të garave, vendi do të mirëpresë qindra sportistë, trajnerë, zyrtarë dhe mysafirë nga rajoni, duke promovuar jo vetëm çiklizmin, por edhe kapacitetet organizative të Kosovës në arenën ndërkombëtare.









