Sipas një njoftimi të publikuar nga Ambasada e Izraelit në Shqipëri, ky memorandum i nënshkruar në Tiranë shënon një “hap të rëndësishëm” drejt forcimit të bashkëpunimit dypalësh, inovacionit si dhe kërkimit dhe zhvillimit ndërmjet dy vendeve.
Shqipëria dhe Izraeli kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Ambasada e Izraelit në Shqipëri, ky memorandum i nënshkruar në Tiranë shënon një “hap të rëndësishëm” drejt forcimit të bashkëpunimit dypalësh, inovacionit si dhe kërkimit dhe zhvillimit ndërmjet dy vendeve.
“Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri i Bujqësisë i Shqipërisë, Fatmir Guri, dhe drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore të Izraelit, Oren Lavi. Ky Memorandum synon të nxisë bashkëpunimin në teknologjitë bujqësore, praktikat e qëndrueshme të prodhimit, sigurinë ushqimore, shkëmbimin e njohurive dhe nismat e përbashkëta kërkimore, në interes të të dy vendeve”, thekson njoftimi.
Sipas njoftimit, pas ceremonisë së nënshkrimit, delegacioni izraelit u takua me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Sala, “ku u diskutua zbatimi i marrëveshjes dhe identifikimi i mundësive konkrete për bashkëpunim në të ardhmen”.
“Ky partneritet pasqyron marrëdhëniet e forta dhe në rritje ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit si dhe angazhimin e përbashkët për inovacion, qëndrueshmëri dhe zhvillim të qëndrueshëm të sektorit bujqësor”, thekson njoftimi.










