Stano: BE s’ka ndryshuar qëndrim për hapjen e Urës së Ibrit, Qeveria e Kosovës do t’i bënte mirë vetes nëse dëgjon aleatët

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në konferencën e përjavshme ka folur sërish për hapjen e Urës së Ibrit duke thënë se Bashkimi evropian ka qenë i qartë në deklaratën e tyre të dhënë ditë më parë, dhe se asgjë s’ka ndryshuar në qëndrimin e tyre, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Stano theksoi se ka diskutime të vazhdueshme lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, por që shton se hapat e pakoordinuar të njëanshëm duhet të shmangen.

Sipas BE-së, autoritetet e Kosovës do t’i bënin mirë vetes dhe popullit nëse do t’i dëgjonin mesazhet e partnerëve dhe aleatëve.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian në lidhje me urën ka qenë shumë i qartë në ditët dhe javët e fundit dhe është komunikuar edhe me partnerët në Prishtinë dhe është diskutuar gjerësisht me të gjithë partnerët e tjerë brenda BE-së, me SHBA-në, me NATO-n dhe KFOR-in, dhe qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar. Nuk ka asgjë të re që mund të shtoja, vetëm duke kujtuar se po, ka diskutime dhe ndërveprime të vazhdueshme për këtë çështje, për këtë çështje në mënyrë ose në përputhje me qëndrimin e Bashkimit Evropian që njëanshëm duhet të shmangen hapat e pakoordinuar dhe kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut. Ky është mendimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës dhe autoritetet e Kosovës do t’i bënin një shërbim shumë të mirë vetes dhe popullit të tyre nëse do të dëgjonin mesazhet e partnerëve dhe aleatëve”, tha Stano.

Rreth asaj se çfarë nëse Ura e Ibrit hapet para një takimi në Bruksel, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano deklaroi se nuk mund të spekulojnë e të bëjnë skenare me “nëse”, por që siç tha ai po angazhohen për të shmangur hapat e pakoordinuar që mund të kenë ndikim negativ jo në komunitetet e prekura atje, por edhe mbi Qeverinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

“Në të tilla raste ne preferojmë të mos spekulojmë mbi skenarët se “çfarë nëse” dhe po angazhohemi me partnerë si në Kosovë ashtu edhe në komunitetin ndërkombëtar për të shmangur çdo hap të njëanshëm të pakoordinuar që mund të ketë ndikim dhe pasoja më negative jo vetëm në komunitetet e prekura por edhe mbi Qeverinë e Kosovës”.

“Pra, qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Nuk ka një datë që do të mund ta thoja tani për takim në Brujsel, por qëndrimi i BE-së dhe i të gjithë partnerëve të tjerë të Bashkimit Evropian është shumë i qartë kur bëhet fjalë për mënyrën se si të trajtohet çështja e rihapjes së urës, dhe kjo po diskutohet me Prishtinën dhe me partnerët ndërkombëtarë”, përfundoi Stano në konferencën për media.

Kategoritë
LajmeVendi