“S’ka dinarë” në komunat me shumicë serbe

Mjediset me shumicë serbe në Kosovë po mbeten pa dinarë.

Kështu së paku thonë disa qytetarë në jug dhe në veri të Lumit Ibër, të cilët provuan të tërheqin para nga llogaritë e tyre, të martën.

Institucionet, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, heshtin.

Mira nga Graçanica – komunë me shumicë serbe afër Prishtinës – nuk arriti të merrte ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë, sepse punonjësit në postë i thanë se nuk ka para.

Kjo zyrë postare punon nën sistemin e Serbisë dhe aty mund të tërhiqen të ardhura në dinarë, të cilat ndahen nga buxheti i Serbisë.

“Nuk kam marrë asgjë. Kam ardhur t’i marr [të ardhurat], por nuk m’i kanë dhënë. Çfarë të bëj tani?”, thotë Mira për Radion Evropa e Lirë dhe tregon se jetesa e familjes së saj varet prej këtyre parave.

Ndihma sociale nga sistemi serb arrin në rreth 11 mijë dinarë, ose 100 euro për një anëtar të familjes.

Mira thotë se nuk merr asnjë kompensim financiar nga buxheti i Kosovës dhe shpreson që çështja e përdorimit të dinarit në Kosovë të zgjidhet së shpejti.

Mungesa e dinarëve në Graçanicë ndodh pasi autoritetet e Kosovës, më 13 shkurt, ndaluan për herë të dytë hyrjen e tyre, me arsyetimin se për këtë çështje vendos Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Kategoritë
LajmeRajoniVendi