Shtatë vite nga ndarja e tij, Profesor Ibrahim Elshani kujtohet me mall

Shtatë vite pas ndarjes nga jeta, Profesor Ibrahim Elshani kujtohet me mall dhe respekt nga familjarët.

Elshani e kishte kushtuar një pjesë të rëndësishme të jetës së tij arsimit dhe dijes. Për afro tri dekada, ai ligjëroi pedagogjinë dhe psikologjinë në ish-Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren, duke qenë pjesë e formimit të shumë gjeneratave të mësuesve dhe arsimtarëve.

Përveç veprimtarisë së tij akademike, Profesor Elshani vazhdoi të merrej me shkrim, hulumtim dhe përkthim edhe pas pensionimit. Një pjesë e rëndësishme e punës së tij lidhej me gjuhën dhe kulturën rome, ndërsa kontributi i tij përfshinte edhe përkthimin në gjuhën rome të veprave të rëndësishme të letërsisë botërore.

Në shtatëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, vajza e tij, Indira Elshani, e ka kujtuar të atin përmes një dedikimi prekës, duke sjellë në vëmendje jo vetëm mungesën e tij si baba, por edhe figurën e profesorin dhe intelektualit që la gjurmë te shumë breza.

BABI, 7 VITE PA TY…

Sot u bënë 7 vite pa ty, babai im i shtrenjtë, dhe dhimbja e malli për ty mbeten njëlloj të gjalla në zemrat tona. Koha kalon, por asgjë nuk mund ta mbushë zbrazëtinë që la ikja jote e parakohshme.

Ka ditë kur do të doja të të tregoja diçka, të dëgjoja zërin tënd, të kërkoja një këshillë… dhe atëherë e ndiej edhe më shumë boshllëkun që ke lënë pas.

Ti ishe babai im, por për shumë breza ishe Profesor Ibrahim Elshani, njeriu që jetën e tij ia kushtoi arsimit, dijes dhe edukimit.

Për afro 30 vite, në ish-Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren, qëndrove para studentëve dhe u mësoje pedagogjinë e psikologjinë. Nga duart e tua dolën shumë gjenerata mësuesish dhe arsimtarësh. Ti nuk u mësoje vetëm lëndët që kishe për detyrë të ligjëroje; u mësoje studentëve rëndësinë e dijes, përgjegjësinë e mësuesit dhe respektin për njeriun.

Si vajza jote, gjithmonë kam qenë krenare kur dëgjoja të flitej për ty si profesor, pedagog dhe intelektual. Krenare që njerëzit të kujtonin me respekt dhe të flisnin për kontributin tënd në arsim.

Edhe kur u pensionove, nuk u pensionove nga dija dhe dashuria për punën. Vazhdoje të shkruaje, të hulumtoje dhe të përktheje. Punove për gjuhën dhe kulturën rome dhe solle në gjuhën rome vepra të mëdha të letërsisë botërore. Për ty, arsimi dhe kultura nuk ishin thjesht profesion, por një mision që e vazhdove deri në fund.

Sot e kuptoj edhe më shumë se sa e madhe ishte rruga që ke bërë.

Më mungon si baba, por të kujtoj edhe si profesorin që la gjurmë te shumë njerëz.

Ti më mësove shumë gjëra pa pasur nevojë gjithmonë t’i thuash me fjalë. Më mësove se puna duhet bërë me përkushtim, se dija duhet ndarë me të tjerët dhe se njeriu duhet të lërë pas diçka të mirë.

Shtatë vite më vonë, unë ende të kërkoj në kujtime, në fotografi, në fjalët që ke shkruar dhe në njerëzit që të kujtojnë.

Babi, ti ike nga kjo botë, por nuk ike nga jeta ime.

Je në kujtimet e mia, në krenarinë time dhe në çdo fjalë të mirë që dëgjoj për ty.

Faleminderit që ishe babai im.
Faleminderit për gjithçka që më mësove.
Faleminderit për shembullin që më le pas.

7 vite pa Ty…
Por një jetë të tërë me kujtimin Tënd.

U prehsh në paqe, Babi im.


Kategoritë
LajmeTë ndryshme