Japonia prej dekadash po përballet me rënie të popullsisë, por një grupmoshë po shënon rritje të vazhdueshme dhe numri i saj nuk ka qenë kurrë më i lartë, shkruan CNN.
Për herë të parë në historinë e Japonisë, numri i personave mbi 100 vjeç ka tejkaluar 100 mijë, duke vendosur një rekord të ri në vendin e njohur për jetëgjatësinë e popullsisë.
Numri i njëqindvjeçarëve u rrit për të 56-in vit radhazi dhe në shtator arriti në 107.677 persona, gati 8 mijë më shumë se një vit më parë, njoftoi të martën Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Shumicën dërrmuese e përbëjnë gratë. Sipas ministrisë, në këtë grup bëjnë pjesë 94.298 gra, ose 88 për qind e numrit të përgjithshëm.
Ministri i Shëndetësisë, Kenichiro Ueno, i komentoi pozitivisht këto të dhëna.
“Jam shumë i lumtur që kaq shumë njerëz vazhdojnë të jenë aktivë dhe të shëndetshëm për një kohë kaq të gjatë”, deklaroi ai.
Japonia renditet vazhdimisht ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, jetëgjatësia mesatare në Japoni ishte 84 vjeç në vitin 2024.
Shkencëtarët e lidhin jetëgjatësinë e popullsisë me ushqyerjen e shëndetshme dhe sistemin e avancuar shëndetësor. Megjithëse Japonia njihet si një vend ku punohet me orare jashtëzakonisht të gjata, një pjesë e popullsisë ndjek filozofinë “ikigai”, e cila i nxit njerëzit të gjejnë kuptim, vlerë dhe kënaqësi në jetë.
Japonia është sot vendbanimi i disa prej njerëzve më të moshuar në botë. Sipas ministrisë, 114-vjeçarja Fuyo Kishimoto nga Kioto dhe 112-vjeçari Hikaru Kato nga Kumamoto janë ndër banorët më të moshuar të vendit.
Megjithatë, plakja e popullsisë po ushtron presion gjithnjë e më të madh mbi ekonominë e katërt më të madhe në botë, duke rritur kostot e kujdesit për të moshuarit dhe duke zvogëluar numrin e personave në moshë pune.
Pavarësisht se brezat po jetojnë më gjatë, popullsia e Japonisë, e cila numëron rreth 123 milionë banorë, vazhdon të bjerë, pasi niveli i lindshmërisë ka arritur në minimum historik.
Vitet e fundit, vendi ua ka hapur dyert edhe punëtorëve të kualifikuar dhe atyre të sektorëve të ndryshëm. Megjithatë, qeveria së fundmi ka ashpërsuar kushtet për marrjen e vizave, në një kohë kur janë shtuar qëndrimet kundër të huajve.

















