Shqipëria dhe Serbia kandidojnë së bashku për organizimin e EURO 2027 për U-21

Kërkesa e përbashkët e Shqipërisë dhe Serbisë është dorëzuar në UEFA dhe pritet së shpejti të marrë përgjigje

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, e ka konfirmuar se Shqipëria dhe Serbia kanë shpallur kandidaturë të përbashkët për ta organizuar Kampionatin Evropian për 21-vjeçarët.

Kjo pasi siç njofton Federata Shqiptare e Futbollit, Shqipëria duke qenë e vetme, nuk i plotësohen kushtet.

Kërkesa e përbashkët është dorëzuar në UEFA dhe pritet së shpejti të marrë përgjigje.

“Shqipëria është një nga kandidatet kryesore për të organizuar ndeshjet finale të Kampionatit Europian 2027 për ekipet kombëtare U-21. FSHF i ka dërguar kërkesën UEFA-s, që Shqipëria të jetë një nga vendet pritëse të finaleve të këtij kompeticioni. Duke qenë se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen në mënyrë që vendi ynë të presë të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21, FSHF do të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit për të pritur së bashku fazën finale të EURO 2027 për grupmoshën U-21”, thuhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Tutje thuhet se ky është një projekt shumë ambicioz, “që do ta vendoste Shqipërinë në qendër të vëmendjes futbollistike të gjithë kontinentit”.

Kategoritë
LajmeRajoni