Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut fillojnë sot negociatat për anëtarësimin në BE

Në Bruksel mbahet sot konferenca e parë ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që shënon hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Në Bruksel mbahet sot konferenca e parë ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që shënon hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni shqiptar që kryesohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të Shqipërisë ndodhet në Bruksel, ndërkohë fillimisht është mbajtur deklarata e përbashkët për mediat e Kryeministrit Rama, Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, vend i cili mban presidencën e radhës të BE-së.

Kryeministri Rama deklaroi se populli shqiptar kurrë nuk u dorëzua dhe sipas tij kurrë nuk reshti së ëndërruari ndjekjen e udhëtimit evropian.

“Ne qëndruam në këmbë pas 3 vitesh të ndërlikuara, ku refuzimet nga Këshilli Evropian nga njëra anë, tërmeti, pandemia, lufta nga ana tjetër krijuan një situatë të vështirë. Ne e dimë që ky nuk është fillimi i fundit, por është fundi i fillimit”, tha Rama.

Rama theksoi më tej se “Ne thjeshtë na duhet të ndërtojmë një Shqipëri evropiane dhe të fortë dhe një Ballkan të hapur Perëndimor, të fortë dhe demokratik”.

Ndërkohë, para deklaratës për mediat, Rama në rrjetet sociale ka shkruar se “Shqipëria ulet në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj”.

Ndërkaq, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me rastin e hapjes së negociatave për aderim në BE theksoi se vendi pas 17 vitesh pritje po fillon procesin e negociimit, po hapin perspektiva të reja për shtetin dhe qytetarët, dhe dalëngadalë por sigurt i bashkohen familjes së madhe evropiane, “që ka qenë qëllimi ynë prioritar strategjik dekada me parë”.

Ai potencoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme për BE-në.

“Propozimin francez që e morëm, përmes një procesi të gjerë konsultativ e njohëm si zgjidhjen më të mirë të mundshme, që në aspekte të shumta i respekton dhe mban vijat e kuqe, e njëkohësisht përfundimisht jep fillimin e negociatave”, tha ai.

Ai potencoi se është saktësuar gjuha maqedonase pa kurrfarë shtesash dhe sqarime.

“Në të, e për ne shumë e rëndësishme, është saktësuar gjuha maqedonase, pa kurrfarë gjera shtesë, sqarime. Me këtë hapet dera që gjuha maqedonase të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së, që personalisht e konsideroj si arritjen më të madhe dhe suksesin më të madh”, deklaroi Kovaçevski.

“Gjuha maqedonase jo vetëm që do të mbrohet, do të përjetojë edhe promovim të jashtëzakonshëm me atë që shumë vende dhe kultura që tradicionalisht nuk kanë prekje me gjuhën tonë, do të mund të njoftohen me të”, shtoi ai.

Kovaçevski më tej theksoi se Maqedonia e Veriut vendin e ka në familjen evropiane dhe se janë partner i besueshëm.

“Maqedonia i përket familjes evropiane. Vendi ynë është në BE. Ne deri më tani e kemi dëshmuar shumë herë se jemi partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe për vendet anëtare dhe kështu do të vazhdojmë të punojmë dhe funksionojmë edhe në të ardhmen”, tha Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski gjithashtu uroi qytetarët e Shqipërisë dhe kolegun e tij Edi Rama për fillimin e negociatave për vendin e tyre.

Shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen e ka konsideruar “moment historik” hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Duke i drejtuar Ramës dhe Kovaçevskit, ajo tha se “Keni pasur besim tek procesi drejt BE-së, keni zbatuar shtetin ligjor, keni median e lirë, keni shoqërinë civile të gjallë dhe keni bërë shumë reforma dhe keni modernizuar ekonominë. Komisioni dhe ekipet negociuese do të fillojnë punën sot”.

Von der Leyen u shpreh se hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është sukses i qytetarëve të të dy vendeve.

Kryeministri Fiala tha se në Evropën e sotme “ne duhet të jemi bashkë gjatë gjithë kohës”. “E ardhmja e Bashkimit Evropian është brenda BE-së”, u shpreh Fiala.

Gjatë ditës do të mbahen sesionet konferencës së parë qeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe më pas takime të tjera të zyrtarëve të të dy vendeve me përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014, ndërsa Maqedonia e Veriut nga viti 2005.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni