Shqipëri, inaugurohet Baza Ajrore e NATO-s në Kuçovë

Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë të Qarkut të Beratit, sipas autoriteteve shqiptare i jep Shqipërisë një rëndësi të re gjeostrategjike, ndërkohë në ceremoni ishin të pranishëm zyrtarë të lartë nga disa vende.

Në Shqipëri u inaugurua Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë të Qarkut të Beratit, që sipas autoriteteve shqiptare i jep Shqipërisë një rëndësi të re gjeostrategjike, ndërkohë në ceremoni ishin të pranishëm zyrtarë të lartë nga disa vende, raporton Anadolu.

Pjesë e ceremonisë ishin presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, përfaqësuesi ushtarak i Türkiyes në NATO, gjenerali Yüksel Kayhan, përfaqësues të NATO-s dhe vendeve anëtare të Aleancës, si dhe ambasadorë, përfshirë edhe ambasadorin turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay.

Në fjalën e tij presidenti Begaj u shpreh se kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.

“Nga kjo bazë, ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive”, u shpreh Begaj.

Begaj theksoi se detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë.

Kryeparlamentarja Nikolla në fjalën e saj, duke iu referuar Shqipërisë, tha se vështirë të gjendet një vend anëtar i Aleancës i cili vetëm pas një dekadë e gjysmë anëtarësimi në Aleancë, të jetë bërë një partneri denjë, i sinqertë dhe kontribuues efektiv për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë.

“Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për forcat tona ajrore”

Kryeministri Rama u shpreh se baza është një tjetër element sigurie për rajonin e Ballkanit Perëndimor i cili tha ai e “dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.

Rama theksoi se riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës ajrore. “Dy helikopterët e rinj Black Hawk si dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë”, tha Rama.

“Dua t’i shpreh një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që kontribuuan duke filluar, sigurisht nga aleatët tanë të NATO-s me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re taktike ajrore e NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano (Durrës), gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe jemi shumë besimplotë se së shpejti do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës”, u shpreh Rama.

Ministri Peleshi u shpreh se baza përbën një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri dhe sipas tij do të shërbejë si një bazë ajrore taktike dhe operacionale.

“Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për forcat tona ajrore për të cilën vëmendja dhe investimi nuk do të reshtin deri në krijimin e një flote dinjitoze në shërbim të mbrojtjes së popullit tonë dhe aleatëve tanë. Helikopterët Black Hawk të siguruar me mbështetjen e partnerit tonë special strategjik SHBA-së si dhe dronët Bayraktar në bashkëpunim me Republikën e Türkiyes janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë. Numri i tyre do të shtohet ndjeshëm në një të ardhme të afërm”, tha Peleshi.

“Türkiye dhe Shqipëria si dy aleatë të NATO-s kanë bashkëpunim të ngushtë”

Përfaqësuesi ushtarak i Türkiyes në NATO, Gjenerali Yüksel Kayhan, theksoi se uron që Baza Ajrore e Kuçovës të jetë një ogur i mirë për Shqipërinë dhe Aleancën.

Kayhan tha se Shqipëria është zhvilluar në çdo fushë pothuajse në vitet e fundi dhe theksoi se mes Türkiyes dhe Shqipërisë ekziston një miqësi dhe vëllazëri e thellë historike për më shumë se 500 vjet.

“Türkiye dhe Shqipëria si dy aleatë të NATO-s kanë bashkëpunim të ngushtë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin rajonal. Forcimi i Türkiyes si një partner i rëndësishëm në aspektin ushtarak ka një rëndësi kritike për forcën dhe efikasitetin e Aleancës në rajon”, u shpreh Kayhan.

Komandanti i qendrës së operacioneve ajrore të kombinuara të NATO-s, gjeneral Juan Pablo Sanchez De Lara, u shpreh se Shqipëria është integruar plotësisht në sistemin e mbrojtjes ajrore të NATO-s.

“Përurimi i Bazës Ajrore të Kuçovës dëshmon se aleanca jonë me një qasje 360 gradë është e angazhuar mjaft në rajon. Jam i sigurt që kjo bazë ajrore do të jetë në përputhje me standardet e NATO-s do të përmirësojë ndërveprueshmërinë, rezistencën dhe bashkëveprimin në kuadër të Aleancës. Së bashku do të qëndrojmë gjithmonë krah njëri-tjetrit”, tha De Lara.

Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto, në ceremoni tha se sot kremtojnë një moment domethënës. Crosetto theksoi se përurimi i bazës vjen në një moment ndryshimesh të thella dhe të shpejta në arenën ndërkombëtare dhe sipas tij përurimi është një pikënisje për bashkëpunime dhe nisma të përbashkëta në të ardhmen.

Gjatë ceremonisë u realizuan edhe ekspozime dhe fluturime të mjeteve ajrore si avionë, helikopterë dhe dronët turq “Bayraktar” TB2, dronë që tashmë janë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s u zgjodh nga Aleanca për ndërtimin e një baze taktike ajrore në rajon dhe në janar të vitit 2022 filloi puna në terren për realizimin e projektit për modernizimin e Bazës Ajrore në Kuçovë, e cila ka shërbyer për disa dekada si bazë ajrore, për ta shndërruar atë në një bazë taktike të NATO-s.

Sipas autoriteteve shqiptare, nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare. Projekti në fjalë përfshinte punimet mbi infrastrukturën për kontrollin dhe sigurinë e fluturimeve, pistën, rrugët lidhëse, si dhe asetet e tjera ndihmëse.

Kategoritë
LajmeRajoni