Shtetasi shqiptar i arrestuar akuzohet për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, ndërkohë Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme
Në Shqipëri është arrestuar një person pasi ka hequr me forcë nga një vendrojë detare, flamurin e shtetit turk, të cilin më pas e ka hedhur në det, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur në një plazh në Qarkun e Durrësit, specialistët e Komisariatit të Policisë së Durrësit, pas disa orësh kërkime, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Sh. S, 48 vjeç, banues në Tiranë.
“Kapja dhe arrestimi i tij u bë për arsye se ky shtetas, gjatë kohës që ka qenë në plazhin e quajtur ‘Gjiri i Lalzit’, ka hequr me forcë nga një vendrojë detare, një flamur të shtetit turk, të cilin më pas e ka hedhur në mënyrë demonstrative në det”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, ky veprim është filmuar me celular dhe më pas është postuar në rrjetet sociale, nga i arrestuari, i cili ishte fshehur pas ngjarjes.
Shtetasi shqiptar i arrestuar akuzohet për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, ndërkohë Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.