Shkup, mbahen takime ndërkombëtare të artit në kujtim të gjenocidit në Srebrenicë

Në Parkun e Qytetit në Shkup po mbahen Takimet Ndërkombëtare të Artit “Srebrenica” me qëllim të përkujtimit të 28-vjetorit nga gjenocidi kundër boshnjakëve në Srebrenicë

Në organizim të Këshillit Kombëtar Boshnjak (BNS) në Maqedoninë e Veriut, në Parkun e Qytetit në Shkup po mbahen Takimet Ndërkombëtare të Artit “Srebrenica” me qëllim të përkujtimit të 28-vjetorit nga gjenocidi kundër boshnjakëve në Srebrenicë, Bosnjë e Hercegovinë, raporton Anadolu.

Në emër të organizatorit të Takimeve Ndërkombëtare të Artit “Srebrenica”, akademiku prof. dr. Fehim Huskoviq në një prononcim për AA tha se kjo është vetëm një nga aktivitetet që boshnjakët nga Maqedonia e Veriut kanë organizuar prej vitesh për të kujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

“Artistët nga Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Türkiye, Kosova… Këto takime para së gjithash kanë disa synime, dhe një nga synimet është që artistët të njihen me njëri-tjetrin, të dalin me ide interesante së bashku përmes bisedës, shkëmbimit të përvojave dhe ajo që është më e rëndësishmja, rasti është pikërisht Srebrenica”, tha Huskoviq.

Ai informoi se veprat artistike që artistët po krijojnë tani do të prezantohen më 11 korrik në Shkup kur do të mbahet marshi tradicional përkujtimor për gjenocidin në Srebrenicë si dhe se veprat e tyre do të ekspozohen gjatë gjithë vitit në qytete të ndryshme të vendeve të rajonit.

“Vetë artistët dhanë mesazhe të caktuara se Srebrenica nuk duhet të ndodhë më kurrë. Duhet jetuar ditët e Srebrenicës, sepse me Srebrenicën dimë të kujtojmë në këto kohë të errëta dhe të çuditshme. Njerëzit duhet të kujtohen shpesh që të mendojnë me maturi, të analizojnë gjërat dhe të veprojnë aty ku jetojnë dhe t’i jepen shoqërisë dhe shumë më tepër”, shtoi Huskoviq.

Prof. dr. Alaybey Karoğlu, profesor dhe artist nga Ankaraja, në një prononcim për AA tha se këto ditë ndodhet në Shkup me artistë nga rajoni për të kujtuar gjenocidin në Srebrenicë.

“Ajo që ne bëjmë është një reagim me gjuhën e artit. Ne si artistë vazhdojmë t’i japim përgjigjet tona kudo që populli ynë ka problem, sepse ne jemi për demokracinë, jemi për bashkimin e njerëzve, besojmë se njerëzit do të ngrihen përmes artit dhe miqësisë”, theksoi Karoğlu.

Ai shtoi se do të vazhdojnë aktivitetet e tyre artistike “jo vetëm për Bosnjën, por edhe për Karabakun, për Azerbajxhanin, për Hoxhali-n, për Palestinën”, duke theksuar se artistët turq gjithmonë janë në anën e drejtësisë, paqes dhe të vërtetës.

Kategoritë
LajmeRajoni