Shkup, Lidhja kombëtare e të verbërve organizoi protestë me kërkesën për rritjen e shtesave

Lidhja kombëtare e të verbërve të Maqedonisë së Veriut organizoi protestë paqësore me kërkesë deri te Qeveria për rritjen e shtesave mbrojtëse që u takon personave me aftësi të kufizuara në shikim.

Lidhja kombëtare e të verbërve të Maqedonisë së Veriut sot organizoi protestë paqësore me kërkesë deri te Qeveria për rritjen e shtesave mbrojtëse që u takon personave me aftësi të kufizuara në shikim, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta nisi para Pallatit të organizatave humanitare “Dare Xhambaz” dhe vazhdoi drejt Qeverisë.

Anëtarët e Lidhjes kombëtare të të verbërve në protestë mbanin mbishkrime ku shkruhej: “Një shoqëri për të gjithë, por ku jemi ne të verbërit”, “Mos injoroni, drejtohuni tek ne”, si dhe kërkuan të priten në takim në Qeveri.

Kryetari i Lidhjes kombëtare të të verbërve të Maqedonisë së Veriut, Zharko Selkovski në një deklaratë për media tha se kanë kohë që kërkojnë takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për problemet e tyre.

“Kërkesat tona janë që shtesa për invaliditet të jetë 40 për qind e pagës mesatare në Maqedoni ndërsa përkujdesja e dikujt tjetër të jetë 30 për qind e pagës mesatare dhe ndihma për të verbërit sepse ne jemi i vetmi vend, besoj në këtë rruzull tokësor, ku të verbërit nuk kanë të drejtë në ndihma”, theksoi Selkovski.

Ai tha se shtesat mbrojtëse në vitin 2010 kanë qenë 7.000 denarë. Selkovski tha se tani është 7.570 denarë ndërsa përkujdesja për të tjerët ka qenë 4.000 ndërsa tani është 4.700 denarë.

Duke shtuar se po kërkojnë zgjidhje të përhershme të problemit, Selkovski tha se kompensimi duhet të lidhet me pagën mesatare dhe jo me shpenzimet e jetesës.

Lidhja kombëtare e të verbërve të Maqedonisë së Veriut, ku pjesëmarrja është vullnetare, numëron 2.500 persona. Ndërsa numri i përgjithshëm i të verbërve, sipas statistikave të Lidhjes kombëtare është rreth 10 mijë.

Kategoritë
LajmeRajoni