Cristiano Ronaldo luajti një rol të rëndësishëm në fitoren e Al Nassr kundër Al Fateh fundjavën e kaluar, por megjithatë ishte i pakënaqur pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit.
Al Nassr fitoi me rezultatin 3:1 kundër Al Fateh në xhiron e 17-të të Pro Ligës Saudite, ndërsa Ronaldo vulosi fitoren e ekipit të tij me një gol për 3:1 në minutën e 87-të, duke larguar çdo shqetësim për rezultatin.
Megjithatë, në minutën e 96-të Ronaldo shënoi një gol shumë të bukur. Por, ai u anulua pasi në dhomën e VAR-it u vendos që golit i parapriu një pozicion jashtë loje.
Edhe pse shënoi një gol dhe ekipi i tij fitoi, Ronaldo shpërtheu në zemërim pas ndeshjes për shkak të anulimit të golit të tij të dytë në këtë ndeshje. Ai iu drejtua kamerës duke thënë se “të gjithë janë kundër tij”.
“Gjithmonë kundër meje, gjithmonë i anulojnë golat e mi,” tha i zemëruar Ronaldo para kamerës, ndërsa shokët e ekipit u përpoqën ta qetësonin.
Portugezi ka shprehur edhe më parë pakënaqësi ndaj vendimeve të VAR-it, por zakonisht në momentet emocionale gjatë ndeshjes. Me gjasë, edhe këtë herë e kuptoi situatën më qetësisht pasi përfundoi ndeshja, një ndeshje që, pavarësisht gjithçkaje, duhet ta kënaqë atë.
Për hir të së vërtetës, bëhet fjalë për një gol shumë të bukur që iu anulua. Nga një kënd i pjerrët në të djathtë, me një goditje të fuqishme, ai dërgoi topin në rrjetën e kundërshtarëve, por VAR e anuloi për shkak të një pozicioni jashtë loje, të cilin e konstatoi me të drejtë gjatë sulmit.