Futbollisti brazilian Neymar u kthye në klubin e tij Santos pas njëmbëdhjetë viteve e gjysmë dhe mbrëmë u organizua prezantimi zyrtar i tij në stadiumin legjendar Vila Belmiro.
Dhjetëra mijëra tifozë të Santosit u mblodhën atje për t’i bërë Neymarit një pritje të paharrueshme. Ngjarja u shoqërua me një spektakël piroteknik dhe Neymar nuk mundi të mbante lotët.
Neymar u rrit si futbollist në Santos, nga ku, si 21-vjeçar, kaloi te Barcelona. Në vitin 2013, Barcelona pagoi 88 milionë euro për transferimin e tij.
Më vonë, ai luajti për Paris Saint Germain dhe për vite me radhë konsiderohej si një nga futbollistët më të mirë në botë. Megjithatë, eksperienca e tij e fundit përfundoi pa lavdi, pasi për shkak të lëndimeve nuk arriti të luante shumë për Al-Hilalin saudit.
Me rastin e kthimit të Neymarit në Santos, në stadiumin e klubit u mbajt një koncert nga grupi Racionais MC’s dhe Projote. Fansat ndoqën gjithashtu performanca nga artistë si MC GP, KayBlack, Kyan, MC Bin, MC Lon dhe DJ Will.
Neymar ka nënshkruar një kontratë me Santosin deri në verën e këtij viti dhe më parë ka njoftuar se planifikon të rikthehet në Evropë.