SHBA, projektligj për “zbatimin e sanksioneve ndaj Mohammed bin Salman”

Tre anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve paraqitën projektligj i cili parashikon zbatimin e sanksioneve ndaj princit të kurorës së Arabisë Saudite, me arsyen se është përgjegjës për vrasjen e Khashoggit.

Tre anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, paraqitën projektligj i cili parashikon zbatimin e sanksioneve ndaj princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman me arsyen se është përgjegjës për vrasjen e Jamal Khashoggit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Tom Malinowski, James McGovern dhe Andy Kim, njoftuan se Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës i kanë paraqitur një projektligj me titull “Ligji për Përgjegjësinë e Shkeljeve të të Drejtave të Njeriut në Arabinë Saudite”.

Në projektligj thuhet se në raportin e Drejtorisë së Inteligjencës Kombëtare (DNI) thuhet qartë se Mohammed bin Salman është përgjegjës për vrasjen e Khashoggit dhe se për këtë arsye edhe ai duhet të vendoset në listën e sanksioneve.

Në projektligjin e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve vihet në dukje se sanksioneve të njëjta duhet t’u nënshtrohen të gjithë të përfshirët në vrasjen e Khashoggit, përfshirë edhe Mohammed bin Salman që përmendet në raportin e DNI-së dhe se në këtë kuptim duhet të pengohet dhënia e vizës amerikane edhe për princin e kurorës.

Gjithashtu në projektligj u përfshi edhe një pikë për informimin e Kongresit nëse janë apo jo në përputhje me ligjet e SHBA-së përdorimi i armëve që SHBA-ja i ka shitur Arabisë Saudite.

Edhe pse ka një rrugë të gjatë për ligjërimin e projektligjit, tërhiqet vëmendja në rëndësinë e shfaqjes së hapave të kundërt në Kongres menjëherë pas vendimit të administratës së Joe Biden për zbatimin e sanksioneve ndaj Bin Salman.

Në mënyrë që projektligji në fjalë të bëhet ligj, ai fillimisht duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat ndërsa më pas duhet të nënshkruhet nga presidenti.

Raporti që DNI publikoi të premten se Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman ka dhënë miratimin për vrasjen e Khashoggit shkaktoi jehonë të madhe, por administrata e Bidenit nuk mori ndonjë vendim sanksionues kundër Bin Salman.

Administrata e Bidenit e cila shkaktoi reagime në opinionin dhe mediat amerikane për shkak se nuk ndërmori ndonjë hap kundër Bin Salman, vendosi sanksione për 76 shtetas sauditë, përfshirë edhe personat për të cilët thuhet se janë përfshirë në vrasje.

Jamal Khashoggi, kolumnist në gazetën “Washington Post” dhe i cili njihej për kritikat e tij ndaj Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, më 2 tetor 2018 hyri dhe nuk doli më nga Konsullata e Arabisë Saudite në Stamboll. Më pas u zbulua se Khashoggi u vra në konsullatë dhe më pas trupi i tij u copëtua.

Kategoritë
BotaLajme