Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i dërgoi një notë proteste Ambasadës Kroate në Beograd lidhur me djegien e figurës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në vendbanimin Kaštel Stari në Kroaci dhe e dënoi ashpër këtë incident.
“E dënoj fuqishëm incidentin që ndodhi më 13 shkurt gjatë procesionit tradicional të karnavaleve, në fshatin Kaštel Stari në Kroaci”, tha Daçiq.
Ai vlerësoi se djegia e një kukulle me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është një akt absolutisht i papranueshëm, i cili është në kundërshtim të plotë me vendosmërinë e shprehur bashkërisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe përmirësimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet dy shtete.
“Ky akt skandaloz i përhapjes së urrejtjes dërgon një mesazh që në asnjë mënyrë nuk kontribuon në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe dëmton drejtpërdrejt dhe seriozisht marrëdhëniet mes dy vendeve”, theksoi Daçiq.
Në ngjarjen në Kastela në Qarkun e Splitit-Dalmacisë, pas shfaqjes së modës, pjesëmarrësit e karnavalit dogjën figurat e presidentëve të Serbisë dhe Rusisë, Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin.
Me këtë ritual të karnavalit, banorët e Kastellës “tregojnë se kush ishte përgjegjës për çdo të keqe që ka ndodhur në jetën e tyre vitin e kaluar”.
Deri më tani, gjatë karnavalit në Kastela, figurat e liderit të Partisë Demokratike të Pavarur të Serbisë Milorad Pupovac dhe kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq janë djegur disa herë.









