Samiti që mbahet në Moldavi mbledh në një vend krerët e vendeve të kontinentit evropian dhe krerët e institucioneve të BE-së.
Në margjinat e Samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me liderët e vendeve tjera të rajonit.
Samiti që mbahet në Moldavi mbledh në një vend krerët e vendeve të kontinentit evropian dhe krerët e institucioneve të BE-së.
Lidhur me takimin joformal të liderëve të rajonit, presidenti serb Vuçiq përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se janë diskutuar hapat e mëtejshëm për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën “e vështirë dhe serioze”.
“Ne në rajon e dimë më së miri se sa e rëndësishme është që bashkërisht të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e fituar me vështirësi. Diskutuam ngjarjet aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale të vështirë dhe serioze, me shpresën se arsyeja do të mbizotërojë, në të mirë të të gjithëve”, u shpreh Vuçiq.
Përpos Ramës dhe Vuçiqit, të pranishëm në takim kanë qenë edhe presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, anëtari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Cvijanoviq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.