Sa gjasa ka të fitojë zgjedhjet partia që kërkon referendum për daljen e Gjermanisë nga BE-ja

Në Gjermani, e djathta ekstreme ka hedhur për herë të parë idenë e largimit të vendit nga BE-ja. Liderja e Alternativës së djathtë për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, i tha Financial Times se nëse vjen në pushtet, gjermanëve do ju jepet mundësia të vendosin me referendum nëse do të rrinë apo jo në Bashkimin Europian.

Opsioni i referendumit, sipas saj, do t’u jepej gjermanëve në rast se qeveria e AfD nuk do të mund të siguronte reforma për të frenuar vendimmarrjen e Komisionit Evropian “të pazgjedhur”.

“Nëse një reformë nuk është e mundur, nëse dështojmë të rindërtojmë sovranitetin e vendeve anëtare të BE-së, duhet t’i lëmë njerëzit të vendosin, ashtu siç bëri Britania. Dhe ne mund të kemi një referendum për “Dexit” – një dalje gjermane nga BE-ja” – tha ajo.

Triumfi i Dexit, – edhe nëse referendumi do të kalonte sfidën që përbëjnë ligjet e rrepta gjermane për plebishitet, – nuk do të ishte aspak i lehtë nëse marrim parasysh se rreth 90 për qind të gjermanëve janë në favor të vazhdimit të anëtarësimit.

Një sondazh i fundit zbuloi se më pak se gjysma (45 përqind) e anëtarëve të AfD do të votonin për Dexit. Por sa janë gjasat për fitoren e AfD, duke pasur parasysh ringritjen e ekstremit të djathtë në Gjermani?

AfD kryeson sondazhet në të pesë shtetet e Gjermanisë Lindore përpara zgjedhjeve rajonale në shtator. Rezultatet e saj në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor do të shikohen me vëmendje, edhe pse parashikimet flasin për sukses të partive euroskeptike në të gjithë bllokun, duke përfshirë Francën, Austrinë dhe Holandën.

AfD në shkallë kombëtare mban 22 për qind, pas opozitës së qendrës së djathtë, Unioni Kristian Demokratik, por përpara të tre partive në qeverinë e koalicionit të kancelarit Olaf Scholz.

Megjithatë, suksesi aktual i AfD-së nuk i garanton asaj një vend në një qeveri të ardhshme. Establishmenti politik i ka përjashtuar marrëveshjet e koalicionit me të dhe ajo nuk udhëheq asnjë nga 16 shtetet e Gjermanisë pikërisht për këtë arsye – raporton Respublica.

Kategoritë
BotaLajmeLajmet Kryesore