Rama thotë se raketat ruse kanë rrezikuar Mitsotakisin dhe Zelenskyn në Odessa: Këto janë provokime të rrezikshme dhe të pamatura

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas sulmit me raketa ruse në Odessa e ku prezent ishin kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.

Rama ka konsideruar se ky ishte provokim i pamatur dhe i rrezikshëm i Rusisë gjatë prezencës së një aleati të NATO-së në Ukrainë.“E dënojmë fuqishëm sulmin me raketa ruse në Odessa që rrezikoi jetën e kryeministrit Mitsotakis të Greqisë, mikut dhe aleatit të përkushtuar të NATO-s dhe Presidentit Zelensky, të cilin pata kënaqësinë ta prisja javën e kaluar në Tiranë. Këto janë provokime të pamatura dhe të rrezikshme”, ka shkruar Rama në platformën “X”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte dëshmitar i një sulmi vdekjeprurës rus me raketa, vetëm pak qindra metra larg vendit që ai e vizitoi në Odesa.

Një hangar i dronëve në portin e Detit të Zi është goditur, ka njoftuar ministria ruse e Mbrojtjes.

Siç raporton Sky News, nga ky sulm janë vrarë pesë persona, është bërë e ditur nga ushtria ukrainase.

Në anën tjetër Zelensky ishte duke vizituar qytetin e prekur nga lufta e tmerrshme në jug të vendit, së bashku me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Sulmi ka ndodhur nga 500 deri në 800 metra larg vendit ku ishin dy liderët, shkruan Reuters.

“Ne jo vetëm që e dëgjuam por edhe e pamë sulmin e sotëm. E shihni se me kë kemi të bëjmë, atyre nuk u bëhet vonë se ku godasin”, ka thënë Zelensky. /GazetaExpress/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni