Rama për vaksinimin kundër COVID-19: Sot është një ditë e veçantë

Në një konferencë për mediat, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë folur mbi aspektet e fushatës së vaksinimit.

Shqipëria fillon sot fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19), që do të realizohet fillimisht në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë, raporton Anadolu Agency(AA).

Në një konferencë për mediat, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë folur mbi aspektet e fushatës së vaksinimit.

Rama, gjatë fjalës së tij i cili theksoi se edhe ai vetë do ta marrë vaksinën, tha se sot është një ditë e veçantë “sepse nisim jetësimin e fushatës ‘Shqipëria buzëqesh’, me vaksinimin anti-COVID”.

“Ndihem vërtetë i lehtësuar për faktin se jo vetëm kemi arritur në kushte aspak të lehta të garantojmë 500 mijë dozat e para të vaksinës Pfizer, por edhe të sigurojmë fillimin e vaksinimit para afatit falë marrëdhënieve bilaterale që janë kyçur në këtë proces, ku faktikisht strategjia dhe drejtimi i përcaktuar nga Bashkimi Evropian, për t’u investuar në skemën e COVAX ka rezultuar që të jetë ende që sot flasim një drejtim i papërcaktuar në kohë”, u shpreh Rama.

Rama theksoi më tej se janë angazhuar intensivisht me kanale të tjera. “Ia kemi dalë të kontaktojmë drejtpërdrejt në New York me Pfizer dhe të hapim me ta një kanal negociatash intensive të vështira për shkak të pamundësive objektive. Njëkohësisht kemi hapur katër kanale të tjera bilaterale me katër vende dhe vaksinimi që fillojmë sot është rezultati i parë i një prej kanaleve bilaterale me një vend të Bashkimit Evropian të cilin nuk jam i autorizuar ta bëj me dije se cili vend është dhe kjo për shkak të kërkesës së tyre vetë. Meqë është thënë krejt gabimisht se ky vend është Greqia, mund të ju them që jo nuk është Greqia”, theksoi kryeministri Rama.

Ministrja Manastirliu tha se plani i vaksinimit përfshin disa aspekte, ku sipas saj aspekti kryesor lidhet me prioritizimin e grupeve që do të vaksinohen.

Ajo tha se vaksinimi do të fillojë me punonjësit e shëndetësisë dhe personat e moshuar dhe ato me problemet e shumta shëndetësore.

Kategoritë
LajmeRajoni