Rama: Padrejtësia ndaj luftës çlirimtare të Kosovës nisi në Këshillin e Evropës

Rama theksoi se është tejet shkurajuese të dish që situata shqetësuese ku përfshihet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) e pati zanafillën brenda Këshillit të Evropës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në samitin e katërt të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Këshillit të Evropës, në Reykjavik, Islandë, ndërkohë në fjalën e tij është fokusuar në rezolutën e vitit 2011 mbi pretendimet për “trafikimin e organeve njerëzore”, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera, transmeton Anadolu.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se është tejet shkurajuese të dish që situata shqetësuese ku përfshihet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) e pati zanafillën brenda Këshillit të Evropës.

“Në këtë samit të Këshillit të Evropës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj Hashim Thaçit, nisi saktësisht në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të asaj kohe të këtij këshilli, Federatës Ruse. Akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale njollosjeje të Shqipërisë dhe të Kosovës”, tha Rama.

Kryeministri Rama foli edhe në lidhje me rezolutën e vitit 2011, mbi pretendimet për “trafikimin e organeve njerëzore”, duke theksuar se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast, sipas tij, duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapshtë të raportit, që “në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve lehtësuar nga UÇK-ja”.

“Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq sesa të bëhej ky gabim i rëndë 12 vjet më parë kur shumë votuan me sy mbyllur atë raport të turpshëm në mirëbesim”, u shpreh Rama.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Rama tha se, “Shqipëria është mjaft e vogël për të ndikuar fatet e një lufte kaq vendimtare për të ardhmen e Evropës dhe të botës, por çdo gjë të vogël që kemi bërë për Ukrainën e kemi bërë me mirënjohjen më të thellë ndaj qëndresës ukrainase.”

Në kuadër të samitit, Rama ka realizuar takime me liderë të vendeve të ndryshme, si dhe ka nënshkruar “Marrëveshjen për regjistrimin e dëmeve shkaktuar nga agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës”.

Kategoritë
BotaLajmeRajoniVendi