Rama në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Evropës: Sot është një ditë e re për Shqipërinë

“Ngritja e këtij flamuri sot në selinë e Kryeministrisë shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, por edhe me të ardhmen e saj”, u shpreh Rama.

Në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë është mbajtur ceremonia e ngritjes simbolike të flamurit të Evropës, pas hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency(AA).

Në fjalën e tij në ceremoni, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se sot është një ditë e re për Shqipërinë.

“Ngritja e këtij flamuri sot në selinë e Kryeministrisë shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, por edhe me të ardhmen e saj, me institucionet, liritë, të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin e saj në çdo drejtim”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama theksoi se ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënieve të shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me vlerat, parimet, standardet, rregullat dhe frymën e bashkëjetesës demokratike evropiane.

“Nga sot, rruga jonë nuk bëhet më e lehtë, por shumë më sfiduese dhe përballja me plagët dhe hijet e të shkuarës, e cila kërkon ende përpjekje të mëdha për t’u fituar përfundimisht, hyn në një fazë të re, fryma e ndryshimit hyn në një thellësi të re, aftësitë për ndryshim hyjnë në një sprovë të re, energjia, vendosmëria dhe durimi hyjnë në një test të ri”, tha Rama.

Rama theksoi më tej se ky është rrugëtimi i parë i “historisë sonë ku ne kemi mundësinë e artë të bëjmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë”, sipas tij, falë transferimit masiv të dijes së shtetndërtimit demokratik.

Kujtojmë se më 19 korrik, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian (BE) mbajtën konferencën e parë ndërqeveritare, duke shënuar edhe fillimin zyrtarisht të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni