Rama: Mbështes vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me Manastirin e Deçanit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama reagoi sot për vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me Manastirin e Deçanit.

Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.

“E mbështes plotësisht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit; më mirë vonë se kurrë”, theksoi Rama në platformën X.

“E inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i matur dhe i besueshëm i Komunitetit Euroatlantik”, shtoi Rama.

Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuar deri tani që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeRajoni