Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dje në një konferencë të jashtëzakonshme për media njoftoi se ka hartuar një draft për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, duke thënë se për këtë s’është konsultuar me Qeverinë e Kosovës.
Alma Baxhaku
Rama tha se këtë draft ia ka dërguar presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Zyra e këtij të fundit sot ka konfirmuar se e ka pranuar propozimin e Shqipërisë, por s’ka zbuluar diçka nga përmbajtja e tij për shkak të konfidencialitetit.
Sidoqoftë, për këtë çështje është deklaruar edhe Bashkimi Europian, i cili tha se draftimi për këtë asociacion bëhet vetëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Unioni. Kështu bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano,
“Siç është thënë edhe shumë herë më parë, diskutimi dhe hartimi i Statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
Megjithatë, Stano tha se kontributet i mirëpresin, derisa njoftoi që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e rajonit dhe të vendeve anëtare të BE-së.
“Çdo kontribut konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën të cilin po diskutohet për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, është i mirëseardhur”.
BE ka njoftuar se një ftesë për sesionin e parë të draftimit të Asociacionit në nivel ekspertësh iu dërgua të dyja palëve më 5 e 6 qershor, por se takimi nuk ka mundur të zhvillohet për shkak të përshkallëzimit të situatës.
“Në vend të kësaj, i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak udhëtoi për në Prishtinë dhe Beograd. BE-ja si lehtësues i dialogut është gati të organizojë sesionin e draftimit dhe është në kontakt me të dyja palët”, tha Stano.
Rama dje ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.
Gazeta Express ka tentuar të marrë edhe qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje, por s’ka marrë përgjigje.








