Prokuroria serbe urdhëron paraburgim për tre zyrtarët policorë të Kosovës

Sipas Qeverisë së Kosovës, tre zyrtarët policë të Kosovës janë rrëmbyer më 14 qershor teksa ishin në kontroll kufitar, thellë në territorin e Kosovës, përgjatë kufirit verior me Serbinë

Tre zyrtarët policorë të Kosovës janë urdhëruar të qëndrojnë në paraburgim nga Prokuroria e Lartë Publike në Kraljevë të Serbisë, transmeton Anadolu.

Sipas propozimit të prokurorit publik të Prokurorisë së Lartë Publike në Kraljevë, gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Kraljevë ka urdhëruar ndalimin e tre të dyshuarve, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e zyrtare të Prokurorisë së Lartë Publike në Kraljevë.

“Për shkak të ngjarjeve të 14 qershorit 2023, në fshatin Gnjilicë, komuna e Rashkës, Prokuroria e Lartë Publike në Kraljevë ka lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj të dyshuarve B.S. (1965), R.Z. (1975) dhe M.Sh. (1961) për shkak të ekzistimit të bazuar të dyshimit se kanë kryer vepër penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve shpërthyese”, shkruan njoftimi.

Sipas Qeverisë së Kosovës, tre zyrtarët policë të Kosovës janë rrëmbyer më 14 qershor teksa ishin në kontroll kufitar, thellë në territorin e Kosovës, përgjatë kufirit verior me Serbinë. Nga ana tjetër, Beogradi zyrtar pretendon se policët e Kosovës janë arrestuar brenda territorit të Serbisë.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi